Në Kosovë është duke hyrë naftë pa u kontrolluar fare.
Auditori i Përgjithshëm ka alarmuar në raportin e fundit mbi kontrollin e cilësisë së naftës se laboratori i Doganës nuk është duke i matur as gjysmën e parametrave të kërkuara me ligj, përcjell Buletini Ekonomik.
Kështu, numri i parametrave që kërkohen me Udhëzimin Administrativ për cilësinë e naftës është 17, kurse laboratori i doganës i teston vetëm katër, ndërsa për benzinë numri i parametrave që duhet të kontrollohen është 16 dhe laboratori i doganës teston vetëm dy prej tyre.
Sipas Auditorit, laboratorit të doganës i mungojnë pajisjet e nevojshme për testimin e më shumë parametrave. “Parametrat që gjatë periudhës 2017-2019 janë testuar më së shpeshti nga Laboratori i Doganës janë: Sulfuri, Densiteti në 15˚C, Distilimi, dhe Viskoziteti kinematik.
Që nga muaji shkurt 2018 e deri në korrik 2019, parametri i distilimit nuk testohet fare, kështu që numri i parametrave të cilët i teston Laboratori i Doganës është shumë i vogël për të përcaktuar me siguri cilësinë e derivateve të naftës.”, thuhet në raportin “Sistemi i Kontrollit dhe Monitorimit të Cilësisë së Derivateve të Naftës”.
Në raport gjithashtu thuhet se nga muaji mars i vitit 2018, pajisja e cila bënë matjen e parametrit të Distilimit është jashtë funksionit. Ky parametër ka qenë i testuar gati në çdo testim të Laboratorit të Doganës gjatë vitit 2017 e deri në shkurt të vitit 2018, duke qenë se konsiderohet i rëndësishëm në përcaktimin e cilësisë së derivatit të naftës.
Mos funksionimi i kësaj pajisjeje ka bërë që numri i parametrave që testohen nga Laboratori i Doganës të kufizohet akoma më tutje dhe kjo të ndikojë akoma më shumë në pamundësinë e këtij laboratori për të siguruar cilësinë e derivateve të naftës në import. /Buletini Ekonomik/