Dy vitet e fundit është diskutuar shumë për cilësinë e mishit në Kosovë. Ky diskutim erdhi pasi në shumë raste gjatë kësaj periudhe autoritet e shtetit gjetën e asgjësuan sasi të mëdha të mishit të prishur. Ky produkt u gjet i prishur në shumicën e marketeve të mëdha, e rasti më i freskët është gjetja e rreth 170 kilogramë mish i prishur në “Super Viva”.
Mishi i prishur është gjetur thuajse kudo në markete e supermarkete të “Bosëve” tregtar të Kosovës, të cilët kështu kanë rrezikuar edhe shëndetin e qytetarëve.
Rasti më i fundit është ai në “Super Viva”. Në këtë supermarket u gjetën rreth 170 kilogramë mish i prishur që ishte duke qëndruar në dhomat ftohëse të këtij marketi.
Insajderi kishte raportuar në mars të vitit të kaluar se, Inspektorati i Veterinarisë kishte konfiskuar pothuajse gjysmë ton mishi të prishur që ishte duke qëndruar në dhomat ftohëse të marketit “Super Viva”. Kishte konfiskuar edhe nënprodukte të tjera të mishit, shkaku i afatave të skaduara.
E mish i prishur është gjetur thuajse pa ndal në Kosovë. Vetëm brenda këtij viti, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) ka arritur që t’i asgjësoj 3 mijë e 796 kilogramë mish të prishur.
Zyrtari për informim nga AUV, Lamir Thaçi, ka treguar se në çdo vend ku është ngritur dyshimi për produkte të cilat nuk i plotësojnë kushtet për konsum, kanë arritur të konfiskojnë dhe të asgjësojnë ato produkte.
“Sasia totale e asgjësimit të produkteve me origjine shtazore, e cila është asgjësuar gjatë këtij viti është 3,796 kg. Ne si inspektorat i AUV-së bëjmë inspektime të gjitha rrjeteve të mëdha tregtare, ku do që është ngritur dyshimi dhe ne kemi gjetur produkte të cilat nuk i plotësojnë kushtet për konsum i kemi konfiskuar dhe asgjësuar”, tregon Thaçi.
Ndaj këtyre shkelësve Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) thotë se ka nisur edhe procedurë në gjykatat kompetente të vendit.
Thaçi tregon se si veprohet në rastet kur identifikohen produktet e prishura.
“Në markete kryesisht hasim në sasi të vogla të produkteve të cilat nuk i plotësojnë kushtet për konsum dhe si të tilla produkte asgjësohen në prezencë te menaxherëve të marketeve. Kur sasia është e vogël ajo hidhet në kontejner mbeturinash të marketit, gjithmonë asgjësimi përcjellët me shkatërrim dhe pamundësim për rikthim në treg apo çfarë do forme keqpërdorimi. Kur sasia është më e madhe, inspektori jep urdhrin tek menaxheri i marketit për të thirrur kontraktuesin për bartje të mbeturinave dhe asgjësimi i produkteve bëhet në mikser transportues të higjienë- teknikes”, shpjegon Thaçi.
E nga gjithë këto raste më të rrezikuarit mbetën konsumatorët, të cilët nuk kanë bashkëpunim me institucionet e shtetit dhe organizatat që merren më mbrojtjen e tyre.
Kryetari i Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçaniku thotë se mosbesimi i qytetarëve mund të krijojë hapësira për manipulime.
Ai tha se kur kemi të bëjmë me mishin e prishur, duhet të alarmohen të gjithë, edhe në rast se bëhet fjalë për helmimin e vetëm të një konsumatorit.
“Për fat të keq rastin te Organizata e Konsumatorit nuk e ka paraqitur askush. Ky mosbashkëpunim mund të ketë edhe konotacion të besimit reciprok, mungesë të besimit reciprok dhe të krijojë hapësirë për manipulime. Natyrisht që kur kemi të bëjmë me mishin e prishur, natyrisht që jemi të rrezikuar dhe duhet të gjithë të alarmohemi në qoftë se është rrezikuar vetëm një qytetar konsumator, taksapagues e mos të flasim për numër më të madh”, tha Kaçaniku.
Statistikat e publikuara më parë tregojnë se në Kosovë brenda një viti importohen mbi 40 milionë kilogramë mish të të gjitha llojeve.
Sipas statistikave të Doganës, Kosova më së shumti importon mishin e shpezëve (pulë). Derisa origjina e mishit të importuar nga Kosova kryesisht dhe në masë më të madhe është nga SHBA, Brazili, Argjentina dhe Holanda, por edhe shumë vende tjera në sasi më të vogël. /FaktePlus/