Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, në një intervistë të dhënë për “Zërin” me rastin e 107-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë vlerësoi se viti që po lëmë pas ishte vit i marrëdhënieve të frytshme ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas Minxhozit, duke e krahasuar me vitet tjera, shuma e mallrave të shkëmbyera mes të dyja vendeve kap shifrën e 270 milionë eurove, shkruan gazeta Zëri.
Zëri: Z. Minxhozi, Shqipëria po shënon 107-vjetorin e Pavarësisë. Ku gjendet aktualisht vendi dhe sa është shënuar progres gjatë këtij viti?
Minxhozi: Shqipëria është një shtet mbishekullor, kemi ecur përpara në drejtim të zhvillimit të vendit në tërësi. Kurse sa u përket marrëdhënieve me Kosovën sivjet kemi pasur vitin më të mirë ekonomik, vitin e një bashkëpunimi të frytshëm. Pritet edhe 40 ditë për t’u mbyllur viti dhe mendohet që do të kemi një rritje të këmbimit tregtar mbi 15%, duke e krahasuar me vitin e kaluar. Pra janë shkëmbyer mallra më tepër dhe janë rritur eksportet e ndërsjella për njëra-tjetrën. Kosova është një treg i rëndësishëm për Shqipërinë, kurse për Kosovën tregu i Shqipërisë ka ofruar më tepër oportunitete. Kosova në përqindje eksporton më tepër në Shqipëri sesa eksporton në Maqedoni, në Mal të zi ose edhe në Serbi. Prandaj është tepër e rëndësishme që ne ta thellojmë këtë bashkëpunim. Mbledhjet e dy qeverive që janë bërë, pavarësisht nga vërejtjet të cilat janë të drejta në një masë, prapëseprapë kanë dhënë mundësi për të parë ku janë defektet dhe kanë ofruar mundësinë se si të riparohen ato. Me qeverinë e re ne do të jemi edhe më ambiciozë për të bërë programe edhe më afatgjata, jo thjesht në baza vjetore, por edhe më gjatë për të bërë projekte të përbashkëta, për të parë mundësinë e krijimit të kompanive të përbashkëta në sektorët jetikë të ekonomisë e kështu me radhë.
Zëri: Autoritetet kosovare dhe ato të Shqipërisë përgjatë viteve të fundit kanë nënshkruar mbi 50 marrëveshje, të cilat kanë mbetur vetëm në letër. Pse sipas jush kjo zvarritje e autoriteteve të të dyja vendeve për t’i zbatuar këto marrëveshje?
Minxhozi: Nuk mund të themi që këto kanë ngelur në letër, por një pjesë e tyre nuk kanë gjetur zbatim dhe zbatimin nuk e kanë gjetur sepse përveç vullnetit politik kërkohet të merren masa më të thella për të parë politikat e zbatimit të këtyre vendimeve që janë, sepse as nuk diskutohet që të dyja qeveritë janë shprehur për vazhdimin e një bashkëpunimi, për vazhdimin e një kooperimi më të mirë, por barrierat që hasen nuk kanë qenë të kalueshme kurdoherë. Prandaj ka pasur marrëveshje që kanë mbetur në letër, por nuk mund të themi që kanë ngelur aty, sepse ne brenda 5 vjetëve kemi dyfishuar eksportin midis Shqipërisë dhe Kosovës, prandaj ne duhet të bëjmë më të mirën që këto të jenë edhe më efikase. Nuk mund të themi që ato kanë mbetur në letër, sepse ne sot shkëmbejmë, deri në fund të vitit shuma do të arrijë në 260 ose 270 milionë euro, nga 100 sa kanë qenë para 5 vjetëve, prandaj hapat janë për t’u marrë në konsideratë. /ZERI/