Shtatë persona, zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, janë intervistuar nga hetuesia në lidhje me dy marrëveshjet e këtij institucioni, që ia mundësonin kompanisë “Eurolab” monopolin në homologimin e veturave.
Fillimisht ky institucion në vitin 2008 kishte lidhur marrëveshje me kompaninë “Eurolab” për homologimin e veturave për një periudhë dhjetëvjeçare. Më 2018-n e ka vazhduar të njëjtën, shkruan sot Koha Ditore.
Më 25 gusht të këtij viti, siç ka mësuar gazeta, Policia e Kosovës ka kërkuar nga Prokuroria Speciale autorizim për intervistimin e dy zyrtarëve të lartë, pjesë e Qeverisë aktuale dhe një ish-zyrtari që ka mbajtur post publik në të kaluarën. Gazeta i ka emrat e personave, për të cilët është bërë kërkesë që të intervistohen si të dyshuar në lidhje me këtë çështje, por për shkak të mospengimit të hetimeve nuk po i publikojmë.
Në informatat e hetuesisë, që ka pasur qasje gazeta, thuhet se janë intervistuar anëtarët e dy komisioneve që kanë lidhur këto marrëveshje.
“Shtatë personat e intervistuar deri më tani janë anëtarë të dy komisioneve për të dy marrëveshjet”, ka thënë ky burim.
Një prej të intervistuarve, sipas tij, ka qenë anëtar në të dy komisionet. Hetuesia pretendon se komisioni i dytë ka qenë edhe në numër në kundërshtim me ligjin.