Zyrtarja e lartë e Ministrisë së Inovacionit në konflikt interesi

Agjencia kundër korrupsionit këto ditë ka shpallur vendimin rreth konfliktit të interesit për Zyrtaren e lartë në Ministrinë e Inovacionit, Laura Perjuci-Zherka, pasi e njëjta kishte ushtruar funksion publik edhe më herët.

Perjuci-Zherka tani mban pozitën Drejtor i Departamentit të Inovacionit në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ndërsa para se të përzgjidhej dhe emërohej në këtë post e njëjta ka ushtruar edhe një fuksion publik, si ai i Këshilltares Politike në të njëjtën ministri, funksione këto të bartura nga ajo, e që sipas dispozitave automatikisht bien ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik, përcjell Buletini Ekonomik.

Zyrtarja, Laura Perjuci-Zharku kishte vetëm një ditë në mes të dorëheqjes së saj dhe emërimit të saj në një pozitë më të lartë, në po të njëjtën ministri ku punon edhe tani.

Reklama e sponzorizuar

Dorëheqja e saj nga posti i këshilltares politike ishte bërë më datë 14.02.2019, ndërsa emërimi i saj me detyrën e re si Drejtor i Departamentit të Inovacionit, menjëherë ditën e nesërme, pra me datë 15.02.2019, situatë kjo që është në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, pasi sipas këtij ligji, zyrtarja e lartë nuk ka të drejtë që të paktën për një periudhë dy vjeçare pas përfundimit të funksionit publik, të emërohet ose punësohet në një pozitë tjetër udhëheqëse apo menaxhuese në institucionin ku ka ushtruar funksion publik edhe më herët, në këtë rast në Ministrinë e Inovacionit.

Në pikën dy, të vendimit të Agjencisë kundër Korrupsionit thuhet se agjencia në fjalë do të kërkojë edhe fillimin e procedurave për shkarkimin e saj nga Institucioni ku zyrtarja e lartë e ushtron funksionin, në vet Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

“Agjencia do të kërkojë fillimin e procedurës për kundërvajtje nga Gjykata kompetente”, thuhet më tutje edhe në pikën tre të këtij vendimi nga Kundërkorrupsioni.

Siç mëson Buletini Ekonomik, Zyrtarët e Kundërkorrupsionit e kishin njoftuar paraprakisht zyrtaren në fjalë lidhur me kufizimet e një zyrtari të lartë pas përfundimit të funksionit publik, por Perjuci-Zharku nuk ishte pajtuar me pretendimet e Agjencisë kundër Korrupsionit, duke thënë se nuk ka asnjë ndalesë apo kufizim me rastin e emërimit të saj në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Inovacionit në kuadër të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Pavarësisht njoftimeve nga ana e Agjencisë kundër Korrupsionit, Laura Perjuci-Zharku ende vazhdon ta ushtrojë pozitën e saj si Drejtor i Departamentit të Inovacionit, që gjithsesi është funksion i papajtueshëm me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik.

Tutje, Kundërkorrupsioni thekson se punësimi i zyrtarëve të lartë publik në pozita drejtuese dhe menaxhuese në institucionet, në të cilat ata kanë ushtruar detyra publike është identifikuar si dukuri ekzistuese edhe në institucionet e tjera publike në vendin tonë, dhe rasti si i Laura Perjuci-Zharkut sipas tyre përbën një rrezik të shndërrimit në fenomen, e i cili ndikon më pas edhe në humbjen e besimit të publikut në institucionet tona.

Ditë më parë Buletini Ekonomik kishte njoftuar edhe për një rast të ngjashëm konflikt interesi në Ministrinë e Kulturës, ku zyrtarja e lartë Jehona Shyti kishte ushtruar funksionin e Këshilltares së ministrit Kujtim Gashi nga 22 shtatori i vitit 2017, pra vetëm 14 ditë pas emërimit të ministrit të Kulturës deri më 10 maj të 2018-tës kur edhe kishte dhënë dorëheqje, dhe gjithashtu e njëjta po gjatë mandatit të ministrit Gashi ishte përzgjedhur dhe emëruar edhe si Drejtoreshë e Departamentit të Kulturës më datë 19 tetor po të vitit 2018. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/