Formimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja, Kuvendit dhe Qeverisë, është mesazhi që po përsëritet nga përfaqësuesit diplomatik ndërkombëtar në Prishtinë drejtuar partive politike, sidomos Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Këto dy subjekte politike kanë ngecur në arritjen e marrëveshjes për qeverinë e re, për shkak të mospajtimeve të tyre rreth postit të presidentit të ardhshëm të Kosovës, i cili sipas mandatit kushtetues duhet të zgjidhet në pranverën e vitit 2021.
Duke qenë se Kosova i ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 6 tetor dhe nuk ka një qeveri me funksione të plota që nga korriku, kur kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, ata të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe u kanë bërë thirrje partive politike në Kosovë që të lëvizin më shpejt drejt konstituimit të institucioneve, sidomos qeverisë.
“Nevojitet një formim i shpejtë i qeverisë për t’i çuar përpara këto procese, në interes të Kosovës dhe popullit të saj dhe në përputhje me Kushtetutën dhe dëshirën e shprehur të elektoratit”, thuhet në deklaratën e BE-së. Kurse ambasada amerikane në Prishtinë ua rikujtoi partive politike se “njerëzit e Kosovës me padurim presin një Qeveri që do të sjellë ndryshime pozitive”.
Edhe më të drejtpërdrejtë në lidhje me negociatat për qeverinë e re ishin anëtarët e Parlamentit gjerman, Peter Beyer dhe Christian Schmidt. Gjatë një konference për media në Prishtinë, ata dhanë një mesazh se tani është koha për formimin e qeverisë dhe jo për zgjedhjen e presidentit.
“Pas zgjedhjeve të cilat u mbajtën në Kosovë ne mendojmë që kjo është java përfundimtare për krijimin e qeverisë”, tha me këtë rast Schmidt.
Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje mban qëndrimin se marrëveshja duhet të përmbajë vetëm ndarjen e funksioneve qeveritare dhe miratimin e programit qeverisës. Opsioni i Vetëvendosjes është që posti i kryeministrit, një zëvendëskryeministër dhe pesë poste ministrore t’i takojnë Vetëvendosjes, kurse për LDK-në, parasheh një post zëvendëskryeministri dhe pesë ministri.
Kurse LDK kërkon që të ketë marrëveshje edhe për postin e presidentit, i cili do të zgjidhet më 2021, duke i ofruar Vetëvendosjes që si “kompenzim”, t’i ketë nën udhëheqje, jo pesë, por gjashtë ministri.
Lulëzim Peci nga instituti KIPRED, mendon se oferta e LDK-së që Vetëvendosje t’i ketë gjashtë ministra dhe LDK të ketë presidentin e vendit është korrekte dhe mund të vë balancin qeverisës.
“Në pamundësi për të dalur jashtë kornizave partiake për zgjedhjen e presidentit, ky opcion mendoj se do të ishte më i miri, nëse LDK do të propozonte një personalitet nga radhët e saj që do të permbushte kërkesat e brendshme dhe ato të përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës”, ka shkruar Peci në facebook.
Por, krejt ndryshe mendon politologu Ramush Tahiri, sipas të cilit do të ishte e padrejtë nëse tani, një vit e gjysmë përpara, të zbulohej kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Kosovës.
“Nëse presidenti zgjidhet me parti, nënkupton që një parti e udhëheq shtetin”, ka thënë Tahiri, duke e mbështetur më shumë opsionin që presidentin, si faktor uniteti duhet ta zgjedh populli.
Përderisa debatet rreth formimit të qeverisë së re vazhdojnë, mbetet të shihet nëse përfaqësuesit ndërkombëtarë, nga SHBA-ja dhe BE-ja që janë të akredituar në Kosovë do të përfshihen për të lehtësuar negociatat ndërmjet LVV-së dhe LDK-së.
Nga përvoja prej proceseve të kaluara zgjedhore, Kosova jo rrallë është përballur me bllokadë kur është në pyetje formimi i institucioneve të reja, sidomos i qeverisë, kështu që lehtësimi ndërkombëtar i negociatave ndërpartiake për koalicion qeverisës, shpesh ka sjellë si rezultat konstituimin e organeve të reja.
Në dhjetorin e vitit 2014, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës patën arritur marrëveshje koalicioni vetëm pasi që negociatat mes tyre u lehtësuan nga diplomatët ndërkombëtarë në Prishtinë.
Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, konstituimi i institucioneve fillon të enjten, më 26 dhjetor, me seancën konstituive të Kuvendit. Pas konstituimit të Kuvendit, fillon faza e formimit të qeverisë e cila pritet të jetë një qeveri koalicioni ngase partia fituese e zgjedhjeve, Vetëvendosje, nuk i ka numrat e mjaftueshëm që vet ta formojë qeverinë e re.