Ambasada e Zvicrës reagon ndaj mohimit që Vuçiqi ia bëri masakrës së Reçakut

Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka reaguar pas mohimit që i bëri presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, masakrës së Reçakut.

Në një reagim të përbashkët me Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, kjo ambasadë ka thënë se çdo deklaratë për luftën duhet të bazohet në fakte dhe duhet të tregojë respekt ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.

Në reagimin e saj, ambasada e Zvicrës ka përkrahur reagimet ndaj deklaratave të Vuçiqit duke shtuar se në Reçak ishin kryer krime masive kundër shqiptarëve, shumica civilë të paarmatosur.

Reklama e sponzorizuar

“Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë përkrahin reagimet e fuqishme dhe të qarta kundër deklaratës së bërë nga presidenti Vuçiq që mohoi krimet në Reçak. Më 15 janar 1999 në fshatin Reçak janë kryer krime masive kundër shqiptarëve, shumica e të cilëve ishin civilë të paarmatosur”, thuhet në reagim.