Rreth 150 familje të fshatit Biti e Poshtme të Komunës së Shtërpcës gjatë së premtes kanë protestuar para Komunës shkaku i mungesës së ujit të pijshëm derisa rrjeti i ujësjellësit është dëmtuar gjatë punimeve në hidrocentrale.
Banorët kanë kërkuar të ndërpriten punimet në hidrocentrale dhe të gjendet një zgjidhje për rregullimin e rrjedhës së ujit të pijshëm. Agron Rushiti i këtij fshati ka deklaruar se rrjedha e ujit të pijshëm është dëmtuar gjatë punimeve në hidrocentrale, ndërkohë rezervarët e ujësjellësit kanë mbetur pa ujë të pijshëm prej dhjetë ditësh, shkruan sot Koha Ditore.
“Uji i pijshëm nuk po vjen në rezervar, sepse rrjedha e ujit është dëmtuar nga punimet e hidrocentraleve në fshatin Biti e Poshtme. Prej dhjetë ditësh jemi duke u përballur me këto telashe, kurse ankesat tona nuk po i shqyrton askush. Qëllimi i protestës është që Komuna të angazhohej dhe t’i parandalojë punimet e hidrocentraleve dhe ta rregullojë punën e ujësjellësit në fshatin tonë. Ndryshe, ne do të vazhdojmë me protesta të tilla derisa të merren parasysh të drejtat tona qytetare”, ka thënë Rushiti.