Shefat e Misioneve të Bashkimit Evropian në Kosovë, kanë lëshuar deklaratë të përbashkët lidhur me situatën e bllokuar politike në vend. Seanca konstitutive e Kuvendit është caktuar të mbahet më 26 dhjetor. Sipas tyre, zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit i dhanë mundësinë popullit të Kosovës të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe për zgjedhur udhëheqësit e tyre.
Në deklaratën e përbashkët, thonë se ky është thelbi i procesit demokratik.
“Ne besojmë se palët në fjalë do të arrijnë konsensusin e nevojshëm për të kapërcyer sfidat e mbetura”, thuhet tutje, transmeton Koha.net.
Në deklaratë, theksohet se Kosova duhet të rifillojë punën urgjentisht për reformat e zhvillimit ekonomik e shoqëror, si dhe për rregullin e ligjit për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, dhe vazhdimin e dialogut me Beogradin, nën lehtësimin e BE-së.
“Një formacion i shpejtë i qeverisë është i nevojshëm për të çuar përpara këto procese që janë në interes të Kosovës dhe popullit të saj në përputhje me Kushtetutën dhe dëshirën e shprehur nga elektorati”, përfundon deklarata e tyre.
Deklarata e përbashkët është shkruar nga Shefi i Zyrës së BE-së, Përfaqësuesit Special të BE-së, EULEX-it dhe Shefave të Misioneve të BE-së në Kosovë.