Pas dështimit të Kosovës në testin PISA, ministri në detyrë i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi ka mbajtur një konferencë për media, ku ka thënë se si ministri ata kanë bërë përgatitjet teknike për këtë test, raporton “Zëri.info”.
Ai ka thënë se pret që në vitin 2021 Kosova të ketë përmirësim edhe më të mirë në testin PISA.
“Në 2015 nuk ka pasur përgatitje teknike. Në vitin 2018 ne kemi bërë përgatitjet e mira teknike dhe nuk kemi pasur asnjë dështim në mbarëvajtjen e testit.
Ne kemi bërë disa teste që nxënësit ta kenë të qartë se në çfarë teste do të futen. Duhet të kemi parasysh që për të dal me rezultate të mira duhet të kemi një angazhim të përgjithshëm shoqëror. Duhet të kemi një analizë e jo të kërkojmë fajtorët. Duhet të analizohet se çfarë përmirësime duhet të ketë”, ka thënë ai.
Edhe pse Kosova ka mundësinë që në testin e radhës të PISËS të mos marrë pjesë, Bytyqi ka thënë se është mirë që Kosovë të marrë pjesë në test, dhe të bëhen përpjekje që në vitin 2019 të ketë përmirësime të rezultateve.
“Ne nuk mund të zgjidhim problemin duke i ikur mosmarrjes pjesë në test.
Edhe Gjermania ka dal shumë keq në testin PISA por që ata kanë marrë masat e duhura. Ne duhet të bëjmë përpjekje të gjithë që të përmirësohemi dhe në vitin 2019 do të shohim se sa jemi përmirësuar”, ka thënë ai.
Ai ka thënë tutje se Kosova është pjesë edhe e testeve tjera ndërkombëtare për arsim, ku do të ketë mundësinë për të përmirësuar rezultatet. /ZERI/