Ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” duket se është shumë afër dështimit. Gazeta inFokus, ka marrë vesh nga burimet e saj të sigurta se kompania Countour Global, e cila u zgjodh nga Qeveria e Kosovës për ta realizuar këtë projekt nuk ka arritur ti siguroi ende paratë.
Fondi amerikan “OPIC” nga i cili pritej të siguronte paratë për financimin e ndërtimit të termocentralit nuk e ka shqyrtuar fare kërkesën e Countour Global.
“Fondet qe ka pas t’ia siguroi OPIC në dhjetor nuk janë siguruar. OPIC nuk ia ka aprovuar kompanisë “Countour Global” mjetet në ketë periudhë por e ka shty deri ne mars afatin për me vendos”, i ka thënë Gazetës inFokus një zyrtarëi lartë i përfshirë në këtë proces.
Në muajin mars është afati i fundit kur duhet te përmbyllet kontrata me Countourin dhe Qeverinë e Kosovës ndërsa thuhet se kompania nuk i ka ofruar ende Qeverisë dëshmi se do të siguroi financim të qëndrueshëm deri atëherë.
Këtë nuk e kanë mohuar as pohuar zyrtarët e kompanisë Countour Global.
“Nuk kemi ndonjë koment nga kompania për këtë”, ka thënë për gazetën inFokus drejtori Financiar i kësaj kompanie, Scott Durant.
Ndërkaq, gazeta është në pritje të përgjigjeve nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Kosovës lidhur me situatën e krijuar.
Burime brenda këtij institucioni kanë bërë të ditur se Countour Global është duke shfrytëzuar mungesën e formimit të institucioneve të reja për të fajësuar Qeverinë për dështimin e projektit.
Kjo pasi Kosova tani nuk ka Kuvend funksional e rrjedhimisht nuk mund të miratohet pako financiare që nevojitet si garanci shtetërore për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.
Në bazë të kontratës, Kosova do të detyrohet t’ia paguajë “Countour Global”-it 19 milionë euro në rast se kjo marrëveshje dështon të ratifikohet në Kuvend.
Marrëveshja me “Contour Global”-in për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re” me kapacitet 450 megavat, është nënshkruar më 20 dhjetor të vitit 2017.
Ky, pritej që të kushtonte afër 1 miliard e 300 milionë euro, shkruan gazeta inFokus.
Në fillim, financimin e këtij projekti mendohej që do ta bënte Banka Botërore, por që kjo e fundit ishte tërhequr.
Aryse thuhej të ishte mos-financimi i projekteve që kanë të bëjnë me djegien e thëngjillit për shkak të mbrojtjes së ambientit.
“Kosova mund të përmbushë nevojat e saj të ardhshme për energji elektrike të paktën me kosto më të ulët duke zhvilluar burimet e saj të ripërtëritshme të energjisë, duke investuar në efiçiencën e energjisë dhe duke pastruar gjenerimin ekzistues të energjisë nga qymyri”, ka shkruar Gerard Wynn, Konsulent për financimin e energjisë në IEEFA.
Megjithatë, një ndër projektet më të mëdha në Kosovë, ishte planifikuar që të fillohet të ndërtohet këtë vit, ndërsa në punë të vihet në vitin 2023.
E ky projekt, ishte kundërshtuar nga disa përfaqësues të shoqërisë civile, por edhe politikan.
Kjo, me arsyen kryesore që ata patën dhënë, ndotja e ajrit dhe ngritja e çmimit të energjisë elektrike.
Megjithatë, se ndotja e ajrit do të jetë minimale, apo fare, kishin thënë përkrahësit e projektit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, duke u thirrur në atë se në ndërtimin e tij do të jetë teknologjia e fundit, shkruan gazeta inFokus.
E për çmimin, rritja e tij ishte arsyetuar me prodhimin e energjisë elektrike nga teknologjia më e re, por edhe amortizimit të të teknologjive të vjetra të cilat tanimë janë në funksion.
Kosova ka më shumë se 10 miliard tonë linjit dhe kështu është vendi i pestë në botë për nga sasia, e që kjo planifikohej të shfrytëzohej nga termocentrali i ri./Gazeta inFokus/