I vdekuri në Badovc është inspektor i Komunës së Prishtinës

Mbrëmjen e së mërkurës, në rrugën Graçanicë – Gjilan, në afërsi të Liqenit të Badovcit, është gjetur i vdekur një person. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se viktima është inspektor i Komunës së Prishtinës

Ahmeti ka shkruar një status në Facebook, ku ka bërë të ditur se Drejtoria e Inspeksionit është lajmëruar mbrëmjen e së mërkurës se është gjetur vetura e braktisur e njërit prej inspektorëve më të vjetër të pyllit, të Komunës së Prishtinës.

“Mbrëmë Drejtoria e Inspekcionit është lajmëruar se është gjetur vetura e braktisur/hapur e njërit prej inspektorëve më të vjetër të pyllit të Komunës së Prishtinës N. Rr. në afërsi të Badovcit Fatkeqësisht, pas arritjes së policisë është gjetur edhe trupi i pajetë i të ndjerit, i vrarë me armë zjarri, në zonën që e ruante si roje pylli.  Trupi është përcjellë në Mjekësinë Ligjore ndërsa policia po zhvillon hetimet rreth rastit”, ka shkruar Ahmeti.

Reklama e sponzorizuar

Ahmeti iu ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të zbardhet rasti dhe kryesir e veprës të sillen para drejtësisë.

“Nga Policia kërkojmë që sa më parë të zbardhet rasti dhe kryesit e veprës të sillen para drejtësisë. Ky rast edhe njëherë dëshmon rrezikun me të cilin përballen Inspektorët e Komunës”, ka shkruar Ahmeti.

Ndërkaq lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha, i cili tha se janë duke u bërë hetimet e nevojshme për të mësuar shkaqet e vdekjes.

“Mund të ju konfirmoj që me datë 18.12.2019, rreth orës 21:50, në një distancë nga rruga Graqanicë- Gjilan, në pyll është gjetur një person vdekja e të cilit është konfirmuar nga ekipi i ambulancës. Njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të hetuar dhe sqaruar rrethanat e këtij rasti”, tha Hoxha.