Kabineti i Thaçit ia “korrigjoi” buxhetit të shtetit rreth gjysmë milioni euro vetëm për paga

Kabineti i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, rreth gjysmë milioni euro ia ka “korigjuar” buxhetit të shtetit vetëm në emër të shpenzimeve për paga, raporton portali “Front Online”.

Në këto shpenzime përfshihen pagat për 23 zyrtarët e presidencës, përfshirë këtu edhe pagën e shefit aktual të saj, presidentit, Hashim Thaçi.

Ky i fundit, për shkak të pozitës që mban, ndër të gjithë të tjerët, ka pagën më të lartë, duke marrë 2773 euro në muaj, apo 33 mijë e 282 euro në vit.

Reklama e sponzorizuar

Por, jo vetëm paga. I pari i vendit ka përfituar edhe 5771 euro të tjera nga mëditjet.

Në total e gjithë shuma që Presidenti Thaçi mori përgjatë një vit arrin vlerën e 39, 053 eurove.

Për njohësit e çështjeve ekonomike, shpenzimet kaq të larta për paga nga Presidenca, janë të papranueshme. Thonë se një praktikë e tillë duhet të ndalet.

Këshilltarët, drejtorët dhe sekretarët…

Kabineti Presidencial përbehet nga: këshilltarët, drejtorët, sekretarët dhe nga një udhëheqëse për Buxhet dhe Financa.

Pjesën më të madhe të këtij kabineti e zënë këshilltarët politikë që janë gjithsej 13.

Lista e tyre fillon me Adil Behramajn, Ardian Arifajn, Artan Behramin, Astrit Ibrahimin, derisa vazhdon me Astrit Salihun, Bashkim Smakajn, Bekim Çollakun, Bislim Zyrapin, Blerim Shala, e përfundon me Emin Krasniqi, Ismail Sylen, Rrustem Mustafen dhe Veli Bytyçin.

Pagat e të gjithë këtyre këshilltarëve, thesarit të shtetit, i kushtojnë plot 278 mijë e 591 euro në vit.

Ndër të gjithë, më i paguari, me 1970 euro në muaj, është Ismail Syla.

Të hyrat e tij vjetore, vetëm nga Presidenca, kapin kostën e 23 mijë e 640 eurove.

Pas tij, këshilltari i dytë më i paguar është,  Veli Bytyçi, i cili përgjatë një viti arkëton 22 mijë e 928 euro nga buxheti i shtetit.

Me 4 euro më pak në vit sesa Bytyçi paguhet, Bekim Çollaku, që zë pozitën e tretë të këshilltarit më të paguar të Presidentit.

Dy këshilltarët që paguhen më së paku janë Emin Krasniqi dhe Rrustem Mustafa, me nga 18 mijë euro në vit.

Pas këshilltarëve, vendin e dytë më të madh për nga numri në stafin e kabinetit, e zënë drejtorët.

Të tillët, që janë 6 në numër, nuk qëndrojnë aspak keq me pagat.

Në xhirollogaritë bankare të Besim Kajtazit, Hilmi Gashit, Fehmi Selimit, Florent Rrahmanit, Fehmi Mehmetit dhe Neser Jakupit, të gjithë këta të emëruar në pozitat e drejtorëve, në total, shteti, derdhë 82 mijë e 537 euro në vit për pagat e tyre.

Drejtori më i paguar është Besim Kajtazi, i cili merr 18 mijë e 833 euro në vit.

Derisa, Hilmi Gashi, me 637 euro në muaj apo 7644 euro në vit, është drejtori më pagën më të vogël në kuadër të Presidencës.

Kompletimi i stafit të Presidentit vazhdon me dy sekretarët, pagat e të cilëve, poashtu janë të larta.

Driton Gashi, për këtë post, merr 17 mijë e 472 euro në vit, derisa, për po të njëjtin post, Nafiye Gas, paguhet me gati 6 mijë euro më pak, me të hyrat vjetore të saj që janë 11 mijë e 518 euro.

Pagat e të dyve, së bashku, kontos së shtetit, i kushtojnë 28 mijë e 990 euro në vit.

E stafin e zyrën së Presidentit e kompleton një udhëheqëse e departmentit për Buxhet dhe Financa.

Fjala është për Ganimete Bytyçin, e cila gëzon një pagë vjetore, prej 7561 eurove në vit.

Analisti Kadriaj: Pagat kaq të larta të papranueshme, një praktikë e tillë duhet ndalur

Shpenzimet kaq të larta për paga nga Zyra e Presidentit, njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, po i konsideron të papranueshme.

Ai në një prononcim për Front Online ka bërë thirrje që një praktikë e tillë të ndalet një herë e përgjithmonë në të gjitha institutcionet qendrore të shtetit.

“Duhet të ndalet një herë e përgjithmonë kjo praktikë anarkiste, poaq jo dinjitoze, duke marrë parasysh mirëqeninen ekonomike në vend. ”, është shprehur ai.

Fajin për këtë çështje, Kadriaj, e sheh te ligji për nivelizimin e pagave.

“Parimisht edhe koeficienti i pagave, si paga mesatare, poashtu edhe ajo minimale do të duhet të zgjidheshin përmes ligjit për nivelizim të pagave. Përderisa kemi amulli ligjore, njerëzit e pushtetit, shpërblejnë vetën sipas tekeve të tyre, qe njëherit tregon për një anarki institutcionale”, theksoi ai.

20 burra e 2 gra

Kabineti i Presidentit Thaçi ngjason shumë me një odë burrash.

Kjo, ngase në radhet e veta ka vetëm dy gra, Ganimete Bytyçin dhe Nafiye Gas-in.

Të gjithë 20 anëtarët e tjerë janë burra.

Kjo, nga aktivistja për barazi gjinore,  Jeta Berisha, po shihet si shkelje e Kushtetutes.

Sipas saj, akti më i lartë juridik i shtetit, u garanton të drejta të barabarta për pjesëmarrje në jetën politike dhe fusha tjera të dy gjinive.

“Në qoftë se një institucioni me kaq funksion siç është presidenca në vendin tonë, i duket që s’ka bërë gjë të keqe në këtë drejtim, po e citoj ligjin më saktë: “Diskriminimi në bazë gjinore ndalohet sipas nenit 1 të Ligjit Nr. 05/L -021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi i cili, ndër të tjera, përfshin edhe ndalimin e diskriminimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndaj personit në bazë gjinore”, tha ajo për Front Online.

Berisha, tutje, thotë se në këtë formë po çohet në dëm puna shumë vjeçare e institutcioneve që  kanë për synim pikërisht luftimin e pabarazisë.