Bankat në Kosovë po i reduktojnë drastikisht degët dhe infrastrukturën e bankomatëve

Kosova është e fundit në rajon për nga numri i degëve bankare dhe infrastrukturës së bankomatëve, e njohur si ATM.

Në vitet e fundit, bankat në Kosovë në mënyrë të vazhdueshme i kanë reduktuar degët dhe infrastrukturën e ATM-ve, duke e vështirësuar kështu qasjen e kosovarëve në shërbimet bankare.

Ky problem është potencuar në dokumentin “Strategjia Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël në Kosovë”, i hartuar së fundi nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Reklama e sponzorizuar

Në këtë strategji thuhet se në përgjithësi, infrastruktura bankare është e koncentruar në kryeqytet dhe qytetet e mëdha. Deri në vitin 2017, numri i degëve të bankave për 100,000 banorë të moshës madhore është zvogëluar në 16.8 në krahasim me 20.6 sa ka qenë në vitin 2015.

Kjo e bën Kosovën vendin me më së paku degë bankare në rajon. Më së shumti degë bankare në 100,000 banorë ka Mali i Zi, përkatësisht 43.6, e pasuar nga Bosnia dhe Hercegovina me 28.3, Serbia me 28.2, Maqedonia Veriore 25.6, dhe e parafundit Shqipëria me 20.6.

“Shifrat e sipërme paraqesin një zvogëlim të numrit të degëve nga ana e bankave. Edhe pse Ligji për Sistemin e Pagesave përmes nenit 13, lejon bankat që të përdorin agjentët, kjo mundësi nuk është shfrytëzuar mjaftueshëm në praktikë”, thuhet në këtë strategji.

Ngjashëm as infrastruktura e ATM-ve dhe POS-ve nuk është zhvilluar mjaftueshëm në Kosovë, krahasuar me vendet tjera të rajonit. Numri i ATM-ve për 100,000 të rritur është 35.3, ndër më të ultën në rajon. Përderisa numri i terminaleve POS për 100,000 të rritur është 642, prapë në nivelin më të ulët në krahasim me rajonin, me përjashtim të Shqipërisë. Mali i Zi prinë me më së shumti terminale POS apo 1,962 sosh për 100 mijë banorë.

“Krahasuar me vitin 2015, në vitin 2018 numri i ATM-ve për 100,000 të rritur është zvogëluar nga rreth 40 në 35.3 përderisa numri i terminaleve POS për 100,000 të rritur është rritur nga 540 në 642. ATM-të përdoren kryesisht për tërheqjen e cash-it, ku vetëm rreth 15% të numrit total të ATM-ve ofrojnë shërbimin e transferimit të fondeve. Terminalet POS përdoren kryesisht për pagesat me kartela në pikat e shitjes së tregtarëve, edhe pse së fundi disa nga bankat kanë filluar me ofrimin e shërbimit të tërheqjes së cash në pikat e shitjes”.

Sikurse edhe te degët bankare, edhe këtu është problem në vete shpërndarja gjeografike e ATM-ve dhe terminaleve POS. Deri në fund të vitit 2019 rreth 34.6% e ATM-ve dhe 41.5% e terminaleve POS ishin të koncentruara në rajonin e Prishtinës, një dallim i madh me komunat tjera. /Buletini Ekonomik