Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës, e cila pritet të konstituohet më 26 dhjetor, do t’i ketë 49 deputetë të rinj, të cilët për herë të parë e kanë fituar këtë mandat dhe 71 të tjerë, të cilët kanë qenë pjesë e legjislaturave të kaluara. Nga 120 deputetët e zgjedhur të legjislaturës së shtatë 38 do të jenë gra, shkruan gazeta “Zëri”.
10 ditë më parë në Kuvendin e Kosovës janë regjistruar 120 deputetët më të votuar të zgjedhjeve të 6 tetorit. Seanca konstituive e legjislaturës së shtatë do të mbahet më 26 dhjetor, të cilën pritet ta kryesojë deputeti më i vjetër në moshë Jahja Koka (71-vjeçar) dhe deputetja më e re në moshë Fjolla Ujkani (22-vjeçare), që të dy këta deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Pjesë e legjislativit të ri do të jenë 71 ish-deputetë, të cilët kanë qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës në ndonjërën prej përbërjeve të vjetra. Por pavarësisht kësaj, zgjedhjet e 6 tetorit kanë sjellë shumë të papritura sa i përket përbërjes së re të Kuvendit, shkruan tutje “Zëri”.
Përveçqë janë përjashtuar shumë deputetë, të cilët kanë mbajtur më shumë se një mandat, përfaqësues të popullit sërish nuk janë zgjedhur as persona që nga themelimi kanë qenë pjesë e legjislativit. Kësisoj 49 fytyra të reja do të jenë pjesë e legjislaturës së shtatë.