Oferta pesë pikëshe e LDK-së për Lëvizjen Vetëvendosje

Lidhja Demokratike e Kosovës sot pas mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë ka dhënë ofertën pesë pikëshe për Lëvizjen Vetëvendosje, në mënyrë që LDK-ja të bashkëqeverisë me këtë parti.

Në njërën nga këto pika të ofertës së LDK-së thuhet se nëse LVV, nuk është gati për propozimin e LDK-së dhe e sheh si pengesë, LDK është e gatshme të heqë dorë nga të gjitha kërkesat për përgjegjësi, dhe të gjitha pozitat tua lë LVV-së.

Sipas kësaj oferte, LDK, do të votojë pa asnjë kusht, me 28 deputetët e saj, Qeverinë e LVV-së pa LDK-në në të.

Reklama e sponzorizuar

Ftesë 5 pikëshe për LVV-në:

1. Siç është dakorduar tashmë, përgjegjësitë ministrore ndahen proporcionalisht në mes të dy partnerëve qeverisës.

2. Kryeministri dhe një zëvendëskryeministër i Qeverisë i takojnë LVV-së.

3. Kryeparlamentari dhe një zëvendëskryeministër i takon LDK-së. Nënkryetarët e Kuvendit ndahen sipas rregullimit Kushtetues.

4. Ditën që zgjidhet Presidenti i propozuar nga LDK, një ministri e udhëhequr nga LDK i kalon LVV-së, për të bërë proporcionin qeverisës 6 me 4 në favor të kësaj të fundit.

5. Nëse LVV, nuk është gati për propozimin e LDK-së, dhe e sheh LDK-në si pengesë, LDK është e gatshme të heqë dorë nga të gjitha kërkesat për përgjegjësi, dhe të gjitha pozitat tua lë LVV-së. Pra LDK, do të votojë pa asnjë kusht, me 28 deputetët e saj, Qeverinë e LVV-së pa LDK-në në të. U japim edhe Kryeministrin, edhe Kryeparlamentarin edhe të 10 ministritë.