Të gjithë punëtorët shëndetësorë, të premten nga ora 07:00 deri në ora 15:00 do të jenë në grevë dhe do të trajtojnë vetëm rastet emergjente. Ky është vendim që është marrë sot nga Federata Sindikale e Shëndetësisë.
Kryetari i kësaj sindikate, Blerim Syla ka thënë për “Kohën Ditore” se do të presin deri më 24 dhjetor që pagat të dalin me rritje sipas ligjit për paga e nëse kjo nuk ndodhë do të mblidhet prapë Këshilli drejtues dhe të vendosë për masa tjera.
“Kjo është vetëm një grevë paralajmëruese. Jemi në koordinim edhe me sindikatën e Policisë dhe të Arsimit. Ky nuk është presion ndaj askujt, por vetëm veprim sindikal. Po kërkojmë të zbatohet ligji për paga i cili ka hyrë në fuqi dhe të cilin po e presim që 9 muaj”, ka thënë ai.
Edhe Sindikata e arsimit ka paralajmëruar se të premten mund të ketë grevë dy orëshe në arsim me kërkesën që në fund të muajit të ju dalin pagat me rritje sipas ligjit për paga. Ky propozim është dhënë në mbledhjen e Këshillit drejtues të SBASHK-ut që është mbajtur sot. Vendimin pritet ta marrë nesër kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj.
Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli ka thënë se ende nuk kanë një vendim si do të veprojnë por që ka gjasa që nesër të mblidhet Këshilli dhe të dalin me një qëndrim.
Javën e kaluar Institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar ligjin për paga në Gjykatën Kushtetese pasi ka pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik të parashtruara kundër këtij ligji.