Zbatimin e Ligjit për Paga s’e duan as kontrollorët ajrorë, paralajmërojnë masa sindikale

Shoqata Sindikale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Kosovës (SINKON) shpreh kundërshtimin e saj për përfshirjen e Kontrolleve të Trafikut Ajror në Ligjin e Pagave dhe kërkon zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në muajin shkurt të këtij viti.

SINKON konsideron se ligji i pagave dëmton kontrollorët e trafikut ajror për çka janë ankuar edhe më herët me kërkesën që të mos përfshihen në këtë ligj, si dhe kanë mbajtur grevë gjatë muajit shkurt 2019.

Reklama e sponzorizuar

Për më tepër SINKON përkujton se gjatë kohës së grevës kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, e cila përmbante pika që duhej të implementoheshin nëpër faza të ndryshme, ndërsa që në fund do të rezultonte me rregullimin e statusit të Kontrollorëve të Trafikut Ajror deri në muajin nëntor 2019, para se të fillonte implementimi i ligjit për paga.

“Ndërkohë kishte ngecje në implementimin e pikave të marrëveshjes nga Ministria e Infrastrukturës, ku ne si SINKON u detyruam të reagojmë duke paralajmëruar grevë gjatë muajit qershor, mirëpo që të njëjtën e pezulluam pas takimit me ministrin e linjës, i cili u zotua edhe një herë se do të implementohen të gjitha pikat e marrëveshjes. Në ndërkohë ndodhi dorëheqja e qeverisë, e cila në Kosovë krijoi rrethana të reja. Pas zgjedhjeve tashmë jemi në fazën e krijimit të qeverisë së re nga e cila presim që të vazhdojë punën rreth rregullimit të statusit të Kontrollorit të Trafikut Ajror”, thuhet në komunikatë.

SINKON paralajmëron se nëse obligimet e marra nga institucionet publike të Kosovës nuk plotësohen, atëherë do të detyrohet që të reagojë përmes masave sindikale.

“Qeverisë së re i kërkojmë që të vazhdojë punën në procesin ekzistues rreth rregullimit të statusit (mirëqenies sociale dhe financiare) të kontrollorëve të trafikut ajror”, përfundon komunikata.