Zhvillimet rreth Ligjit për paga po shihen si “skenar i Thaçit për destabilizim”

Ashtu siç edhe kishte paralajmëruar, Avokati i Popullit, Ligjin për paga e dërgoi në Gjykatës Kushtetuese pasditen e së enjtes.

Kështu, Sindikatat e ndërmarrjeve publike ajo e KEK-ut dhe Telekomit dolën fituese ndaj sindikatave të tjera asaj të Arsimit, Shëndetësisë dhe Policisë , që ishin kundër këtij veprimi, raporton KTV.

Krejt këto zhvillime sindikale dhe vendimi i Avokatit të Popullit, po quhen skenar i presidentit Hashim Thaçi, nga ish-deputeti dhe anëtari i LDK-së Haxhi Avdyli.

Reklama e sponzorizuar

Avdyli thotë se ky plan i Thaçit po bëhet me qëllim që të krijohen trazira për t’i vënë në siklet dy partitë e para fituese të zgjedhjeve VV-në dhe LDK-në.

Ai shton se edhe sindikatat të cilat janë për këtë ligj dhe Avokati i Popullit, po bien pre e lojërave politike të cilat i quan të rrezikshme për vendin.

Por, Sindikata e Arsimit është e zhgënjyer me veprimin e Avokatit të Popullit derisa sërish paralajmërojnë se mund të ketë edhe greva.

Sindikalistët thonë se nuk janë të ndikuar nga askush, por thjesht sipas tyre, po i mbrojnë interesat e mbi 60 mijë punonjësve publikë.

Jashari, kryetar i SBASHK-ut ka thënë se do t’i drejtohen presidentit, kryeministrit në detyrë dhe dy partive VV-së dhe LDK-së që të ndërmarrin masa. Ndryshe, veprimet sindikaliste janë të pashmangshme.

Ndërkohë sindikata e KEK-ut , e ka mirëpritur vendimin e Avokatit të Popullit.

Por, nga kjo sindikatë janë të shqetësuar me faktin se punëtorët e kësaj korporate do dëmtohen nëse gjykata vonohet në ndonjë vendim dhe si pasojë, ligji nis të zbatohet.

Dërgimi në Kushtetuese i ligjit për paga i cili hyri në fuqi më 1 dhjetor, erdhi pasi Avokati i Popullit, kishte pranuar ankesa të shumta nga kategori të ndryshme për pabarazi dhe diskriminim.