Muharrem Beka, kryetar i sindikatës së zjarrfikësve në Kosovë, ka pohuar se zjarrfikësit kosovarë nuk i kanë kushtet e duhura të punës.
Në një interviste në Sytë 7 të Klan Kosovës ai tha se u mungojnë pajisjet, janë pa shërbime shëndetësore si dhe nuk u është rregulluar çështja e nivelizimit të koeficientit.
Beka theksoi se e kanë ngritur disa herë zërin për t’ju përmbushur kërkesat e tyre, mirëpo nuk kanë marrë përgjigje.
“Kemi zhvilluar tre herë takim me kryeministrin Ramush Haradinaj, mirëpo nuk ka ndodhur asgjë. Më pas patëm protestat, të cilën e ndalëm sepse na thanë se brenda dy muajsh do të rregullohet kjo çështje. Më pas ishte protesta tjetër ku Qeveria mori vendim për t’i ndarë 600 mijë euro për orët shtesë, vetëm për vitin 2018”, tha ai.
Mirëpo zjarrfikësit tani ndjehen të indinjuar pasi nuk u përfshinë në vendimin që mori dje qeveria për kompensimin e orëve shtesë.
Beka tha se do të vazhdojnë t’i adresojnë kërkesat e tyre tek institucionet dhe se tani po e presin qeverinë e re.