30 ditë paraburgim të dyshuarit për shpërthimin në Zhur

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit Iran Badalli nga fshati Zhur, e që dyshohet se kishte kryer veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, me rastin e shpërthimit të së martës që shkaktoi vdekjen e një polici e plagosjen e dy të tjerëve.

Ndaj Badallit vlen edhe akuza për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit, 28 janar 2020.

Reklama e sponzorizuar

“Sepse për shkak të dyshimit të arsyeshëm se me anë të eksplozivit ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, që ka rezultuar me vdekjen e një personi, në qatë mënyrë që me datë 28.01.2020, rreth orës 20:00 në dhomën e katit të dytë të shtëpisë së tij në fshatin Zhur – Komuna e Prizrenit ka kurdisur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit (TNT) ku me rastin e bastisjes nga policia dhe kontakti fizik me telin detonues ka shpërthyer eksplozivi, me ç’rast ka gjetur vdekjen polici – tani i ndjeri me iniciale S.TH. e njëherësh në shtëpi është shkaktuar dëm i konsiderueshëm pasuror dhe është shkaktuar rrezik i madh për jetën e policëve tjerë që ishin në oborr të shtëpisë, e që me datë 29.01.2020 në dhomën gjegjëse është zbuluar edhe sasia e eksplozivit të pashpërthyer (TNT) në peshë prej 809 gram, në vend, kohë dhe mënyrë të njëjtë të përshkruar sikurse në pikën I të dispozitivit të aktvendimit ka rezultuar edhe me lëndime të lënda trupore për policët e dëmtuar me iniciale A.M. dhe J.H. të cilët ishin në dhomë së bashku me të ndjerin S.ZH. , lëndime të lehta kanë pësuar edhe i dëmtuari me iniciale A.B. dhe fëmija i të pandehurit”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.