Bazuar në politikat fiskale në vitin 2019, vlera e mallrave që janë importuar me zero taksa në import për prodhuesit kosovarë ka qenë 370 milionë euro, apo 10.5% e totalit të vlerës së importit në 2019.
Dogana e Kosovës, në një njoftim për media, ka thënë se ndikimi në taksat në import që i referohen mallrave të liruara për prodhues përgjatë vitit 2019 është rreth 81.5 milionë euro, që paraqet një rritje prej rreth 9.7 % krahasuar me vitin paraprak 2018.
“Nga kjo shumë prej 81.5 milionë euro, ndikimi në taksën doganore ka qenë 9 milionë euro, 11.5 milionë euro në taksën e akcizës dhe 61 milionë euro në TVSH”, ka thënë Dogana, raporton Koha.net.
Sa i përket MSA-së, Dogana thotë se ndikimi në të hyra nga MSA-ja përgjatë kësaj periudhe është rreth 64 milionë euro apo rreth 47 % më shumë se sa periudha e njëjtë e vitit paraprak.
“Gjithashtu ndikim në të hyra ka pasur edhe marrëveshja e tregtisë se lirë me Turqinë që ka hyrë në fuqi me 1 shtator 2019, ku efekti në të hyra në import nga kjo marrëveshje për katër muaj ishte në vlerë 2.5 milionë euro. Totali i lirimeve për prodhues, ndikimi i MSA-së dhe MTL me Turqinë për vitin 2019 kanë pasur efekt 148 milionë euro në taksat importuese”, deklaron Dogana.
Ky institucion thotë se shpreson që ndikimi i këtyre politikave fiskale, MSA-së, Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, ka pasur efektin e vet pozitiv në ekonominë kosovare, për prodhuesit kosovarë në ngritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese, në zëvendësimin e produkteve në import dhe rritjen e eksporteve të produkteve kosovare drejtë vendeve tjera.