5 ish-zyrtarë komunalë dhe 2 zyrtarë të “Infrakosit” akuzohen për degradimin e hekurudhës

Prokuroria Themelore në Prizren, të premten, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër pesë ish-zyrtarëve të Komunës së Prizrenit dhe dy zyrtarëve të hekurudhave të Kosovës “Infrakos” për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Organi i akuzës pretendon se katër ish-drejtorët dhe një ish-inspektor i Komunës së Prizrenit, si dhe dy zyrtarët e lartë të “Infrakosit” me veprimet e tyre kanë shkaktuar degradimin e pronës, si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit, si dhe e kanë bërë të papërdorshme, duke i shkaktuar kompanisë publike dëme materiale, shkruan sot Koha Ditore.

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër S.P., N.K., V.I., B.N., B.K., A.Th., dhe N.A., në cilësinë e personave zyrtarë, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafi 2.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Reklama e sponzorizuar

Tutje theksohet se sipas aktakuzës, i akuzuari S.P., në periudhën kohore 2012-2014, N.K., në periudhën kohore 2014 -2016 dhe V.I., në periudhën kohore 2016-2017 në Prizren, duke punuar si persona zyrtarë në cilësinë e drejtorëve të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor pranë Komunës së Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër, në rastin konkret pronarëve të objekteve të ndërtuara, e duke i shkaktuar dëm personit tjetër në rastin konkret “Hekurudhat e Kosovës” – ‘’InfraKos’’ me seli në Fushë -Kosovë.

“Të akuzuarit S.P., N.K., dhe V.I., kanë shkaktuar degradimin e pronës dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit, si dhe e kanë bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale. Në këtë mënyrë, secili prej të akuzuarve veç e veç në vazhdimësi kryen veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2, nënpagrafi 2.2 të KPRK-së”.