Berisha: Praktikë e pazakontë, hapja e konsullatave në qytetet ku Kosova i ka ambasadat

Butrint Berisha, hulumtues në Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS), ka thënë të mos jetë praktikë e zakonshme politike që shtetet të hapin Konsullatat e Përgjithshme nëpër qytete ku veç është funksional misioni diplomatik. Sipas tij, në rastin e hapjes së misioneve konsullore në shtetin ku veçse ekziston një mision diplomatik, kjo zakonisht bëhet në një qytet tjetër, në mënyrë që dy misionet të kenë një ndarje gjeografike në shtetin ku operojnë.

“Pra, kur misioni ekzistues ka vështirësi në mbulueshmërinë e të gjithë territorit e shtetit, hapja e një misioni të ri konsullor mundëson komunikim dhe qasje më të lehtë në shërbime për një pjesë të qytetarëve që jetojnë në atë shtet”, i ka thënë Berisha gazetës “Koha Ditore”. “Kosova ka më shumë se një rast me Konsullatë të Përgjithshme brenda kryeqyteteve ku paraprakisht ka pasur mision diplomatik dhe do të ishte interesante të dëgjohet se cila ka qenë logjika prapa këtyre vendimeve, thënë shkurt pse shërbimet konsullore nuk kanë mundur të ofrohen brenda misionit ekzistues? Nuk është shenjë e mirë për një shtet të ketë dy shefa të misioneve brenda të njëjtit qytet, mbi të gjitha duhet pasur parasysh se hapja e një misioni të ri imponon kosto shtesë në buxhetin e shtetit”.

Gazeta “Koha Ditore” ka raportuar në numrin e sotëm se Blendi Kilaj është caktuar konsull i përgjithshëm në Konsullatën në Lubjanë, e cila ende nuk është konsoliduar. Burime të gazetës kanë thënë se prej kohësh Ministria e Punëve të Jashtme ka ndërmarrë veprime për themelimin e këtij misioni dhe se kërkesën për të ia ka deponuar edhe autoriteteve sllovene, por se ende nuk ka marrë një përgjigje. Sipas këtyre burimeve, nuk është në frymën as të Konventës së Vjenës për marrëdhënie konsullore, e as të asaj për marrëdhënie diplomatike që në qytetin ku është e vendosur ambasada, të hapet edhe konsullatë.

Reklama e sponzorizuar

Një praktikë të këtillë Kosova tashmë e ka aplikuar edhe në Tiranë, ku krahas ambasadës që ofron edhe shërbime konsullore, ka ngritur edhe konsullatë. Mbështetur në një pasqyrë që tregon hyrje-daljet në llogarinë bankare të misionit në kryeqytetin e Shqipërisë, të hyrat për një vit nga shërbimet konsullore ishin vetëm 2,400 euro, ndërkaq si transfere nga Thesari figurojnë 52,928.63 euro. E, një burim ka treguar se, “nëse në një konsullatë në perëndim kemi deri 150-200 aplikime për viza në ditë, në Tiranë nga 4 deri në 15 aplikime për viza në tërë muajin”.