“Gjykata e Tenderëve” ia stopon tenderin e “kurdisur” 1.1 milionësh Pal Lekajt

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), apo siç njihet ndryshe Gjykata e Tenderëve e Kosovës, ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës, të cilën e udhëheq Pal Lekaj, përmirësimin e dosjes së tenderit në vlerë prej mbi 1.1 milionë euro për furnizimin dhe montimin e ndriçimit të Autostradës Morinë-Besi, si dhe ndriçimin e rrugës rajonale R102, segmenti Skënderaj-Polac dhe segmenti Skënderaj-Klinë e Epërme.

Portali “Front Online” dje ka botuar hulumtimin në lidhje me këtë proces milionësh të prokurimit, ku zbulohej se kriteret në këtë tender të ndarë në dy lote ishin të përshtatura për biznese të caktuara, pasi që nuk kërkoheshin kritere financiare e as teknike, duke u mundësuar kështu kompanive që nuk e kanë përvojën adekuata ta fitojnë tenderin milionësh.

“Paneli Shqyrtues vjen në përfundim se dosja e tenderit për aktivitetin e prokurimit në fjalë nuk është përpiluar ne pajtim me nenin 1 dhe 27 te Ligjit të Prokurimit Publik, andaj konstatojmë se autoriteti kontraktues duhet ta bëj përmirësimin e dosjes së tenderit dhe ta bëj zgjatjen e afatit përdorëzimin e ofertave konform nenit 53.7 te LPP-së”, thuhet mes tjerash në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Reklama e sponzorizuar

“Front Online” për këtë tender i ka dërguar pyetje Ministrisë së Infrastrukturës, por këta nuk janë përgjigjur për më shumë se pesë ditë.

Përdallim nga Ministria e Infrastrukturës, niveli lokal tek tenderët e kësaj natyre dhe me vlera shumë më të vogla financiare, ka kërkuar dokumente konkrete financiare dhe teknike.

Komuna e Deçanit në aktivitetin e prokurimit: “Rregullimi i ndriçimit publik  eficient në Deçan”, ku vlera e tenderit është 45 mijë euro, ka kërkuar nga ofertuesit mbështetje financiare nga banka në vlerë prej së paku 50 mijë euro, ndërsa në lidhje me kapacitetin teknik ka kërkuar nga operatori ekonomik dëshmi se ka përfunduar me sukses kontrata të natyrës së ngjashme në 3 vitet e fundit, numri i punëtorëve të angazhuar në projekt, minimum 5 punëtorë, inxhinieri i elektros të jetë auditor me përvojë pune 5 vjeçare në efiçiencë të energjisë. Poashtu në këtë aktivitet të prokurimit Komuna e Deçanit kërkon që produktet të jenë me standard të BE-së, të ketë autorizim nga prodhuesi, etj.

Edhe Komuna e Prishtinës për aktivitetin e Prokurimit “Zgjerimi dhe modernizmi i rrjetit publik”, me vlerë të parashikuar prej 300 mijë euro kishte kërkuar nga operatori ekonomik (të ofroj dëshmi se ka përfunduar me sukses kontrata të ngjashme në vlerë prej 300 mijë ero në tre vitet e fundit, të angazhoj personelin profesional të cilët duhet të kenë kualifikime shkollore, inxhinier të elektroteknikes me përvojë pune tre vjeçare , 10 punëtorë me përvoje në zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit, operatori të posedoj mjete, stabilimente dhe pajisje teknike që janë të domosdoshme në realizimin e këtij projekti si: Dy kamionë me shporta, një kamnion vinç, një ekskavator, certifikatën për kualitet të dritave dhe certifikatën ISO STANDARD 9001 2015 për menaxhim, ta ketë katalogun për shtylla dhe drita, ta ketë autorizimin nga prodhuesi i licencuar, etj.

Arton Demhasaj nga Organizata Joqeveritare për Dinjitet dhe Antikorrupsion “Çohu” ka deklaruar për “Front Online” se kriteret teknike dhe financiare domosdoshmërisht duhet kërkuar nga autoriteti kontraktues në rastet kur shpallin tender publik, e sidomos kur vlera e tenderëve kalon shifrën prej 1 milion euro.