Polici i Kosovës, Sami Thaqi, ka vdekur mbrëmë gjatë një aksioni anti-drogë në një shtëpi në Zhur të Prizrenit pasi hasi në një bombë të vendosur nga pronari. Po ashtu, edhe një ndër dy policët e plagosur po dyshohet se u verbërua nga shpërthimi.
Siç merr vesh Klan Kosova, gruaja e të dyshuarit fillimisht kishte raportuar policinë për dhunë në familje dhe policia ka intervenuar. Më pas gruaja i ka treguar policisë se burri i saj i dhunshëm mban armë dhe drogë duke bërë që policia të kërkojë ndihmë nga ekipi i njësisë speciale anti-drogë, pjesë e të cilit ishte edhe polici i vrarë.
Gjate bastisjes për narkotikë, polici tashmë i ndjerë, ka hasur në një bombë të vendosur në një dhomë të shtëpisë si lloj magazine, njofton Klan Kosova.
Nga ky shpërthim mbeti i lënduar edhe fëmija 12 vjeçar i të dyshuarit dhe dy policë të tjerë që janë duke u trajtuar në QKUK. Fatkeqësisht, njëri nga policët po dyshohet se është verbuar nga lëndimet e rënda që ka marrë në fytyrë.