Afro 1400 studentë më shumë sesa kuota e lejuar i ka regjistruar Kolegji UBT në vitin akademik 2018/2019, thuhet në kallëzimin penal që ndaj këtij institucioni privat të arsimit të lartë ka dorëzuar Inspektorati i Arsimit.
Këtë kallëzim që e ka siguruar gazeta, Inspektorati e ka dorëzuar më 23 prill të vitit 2019 në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Në këtë dokument thuhet se UBT-ja ka bërë tejkalim të numrit të studentëve të regjistruar në vitin akademik 2018/2019, shkruan sot Koha Ditore.
Tejkalimi, sipas Inspektoratit, është bërë në pesë programe të nivelit bachelor dhe është në kundërshtim me vendimet e akreditimit për programet e studimit. Në këtë dokument bëhet e ditur se ka drejtim që UBT-së i është lejuar t’i regjistrojë vetëm 50 studentë, por janë pranuar 1001.
Në kallëzimin penal theksohet se për të ndërmarrë këtë veprim janë bazuar në dokumentet e ofruara nga Kolegji UBT dhe një raport i Auditimit që e ka bërë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT). Drejtues të Kolegjit UBT kanë mohuar se ka pasur tejkalim të numrit të studentëve në këtë institucion.
E Prokuroria Themelore përmes një përgjigjeje me shkrim për gazetën ka bërë të ditur se rasti ndodhet në fazën e zhvillimit të procedurës hetimore.
“Lidhur me këtë rast ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë veprime hetimore për grumbullimin e informatave dhe provave në sqarimin e kësaj çështjeje. Aktualisht rasti ndodhet në fazën e zhvillimit të procedurës hetimore. Për epilogun e veprimeve të mëtejshme do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore.
Sipas kallëzimit penal, Kolegji UBT në drejtimin Dizajn i integruar e kishte të lejuar t’i regjistronte 50 studentë, ndërkaq i regjistroi 253, apo 203 më shumë, në drejtimin Infermieri e kishte të lejuar t’i regjistronte 50 studentë, ndërkaq i pranoi 1001 studentë, apo 951 më shumë, në drejtimin Shkenca e ushqimit dhe bioteknologji e kishte të lejuar t’i regjistronte 60 studentë, dhe i pranoi 97 apo 37 më shumë.
Po ashtu, sipas kallëzimit, në drejtimin Shkenca kompjuterike dhe inxhinieri e kishte të lejuar t’i regjistronte 760 studentë dhe i pranoi 932, apo 172 ma shumë, si dhe në drejtimin Stomatologji 20 studentë, por i pranoi 34, apo 14 më shumë.