Kosovarët duket se nuk mund ta kalojnë asnjë ditë pa konsumuar kafe e çaj. Për blerjen e këtyre produkteve ata shpenzojnë me miliona euro çdo vit. Sipas statistikave të Doganës së Kosovës, në tri vjetët e fundit janë importuar kafe e çaj në vlerë mbi 85 milionë euro. Importi i tyre është bërë kryesisht nga Brazili, Shri Lanka dhe Italia. Aktualisht, në gjithë vendin janë të regjistruara 572 kafene dhe 138 çajtore, ku shërbehen këto produkte.
Mbi 10 milionë kilogramë kafe e çaj hyjnë për çdo vit në Kosovë nga shtetet e huaja. Madje, konsumimi i këtyre produkteve duket se është kthyer në një lloj varësie për banorët e vendit.
Ata nuk mund ta kalojnë as një ditë pa konsumuar ndonjërën prej këtyre pijeve.
Konsumi i madh i këtyre pijeve dëshmohet edhe nga statistikat e importit, që ka siguruar Gazeta Express nga Dogana e Kosovës.
Në Doganën e Kosovës deklarojnë se gjatë tri viteve të fundit, janë importuar 30 milionë kilogramë kafe e çaj.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci i ka thënë Gazetës Express se importi i këtyre produkteve u ka kushtuar xhepave të kosovarëve më shumë se 85 milionë euro.
Stavileci deklaron se kafeja që konsumohet në vend vjen kryesisht nga Brazili, Kostarika e Kameruni, derisa çaji importohet nga Shirilanka , India dhe Kina.
Por, këto nuk janë shtetet e vetme prej të cilave importohen këto produkte.
Bazuar në të dhënat e Doganës, shteti importon çaj e kafe edhe nga Shqipëria, Austria, Bullgaria, Kameruni, Kina, Kolumbia, Kostarika, Gjermania, Spanja, Franca, Etiopia, Peruja, Turqia, Sllovenia, Ruanda, Tanzania, Uganda, Jordania, Mbretëria e Bashkuar, Zvicrra, Belgjika, Zimbabveja, Pakistani e Vietnami.
Ndërkohë, sipas Agjencisë Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve(ARBK), në tërë Kosovën janë 572 kafene të regjistruara, ndërkohë që vetëm 502 prej tyre janë aktive.
Numri më i madh i kafeneve gjenden në Prishtinë, përkatësisht 121 kafene, pasuar nga Prizreni me 83 kafene.
Përveç kafeneve, janë dhe 138 çajtore, prej të cilave 119 vazhdojnë të jenë aktive.
Sipas të dhënave të publikuara në ARBK, me numër më të madh të çajtoreve, prin Vushtrria, që njihet ndryshe edhe si qytet ku qytetarët i pinë deri në 70 çaja gjatë një dite. Vetëm në këtë komunë, janë aktive mbi 30 çajtore.
Menjëherë pas Vushtrrisë, renditet Podujeva. Llapjanët brenda ditës i pinë deri në 40 çaja.
Edhe në Mitrovicë duket se konsumohet çaji mjaft shumë, bazuar në numrin e madh të lokaleve ku shërbehet çaj. Në këtë qytet, aktualisht funksionojnë 26 çajtore.
Por, në vend ka edhe qytete që nuk kanë asnjë çajtore. Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, nuk figuron asnjë çajtore e regjistruar në qytete si Rahoveci, Deçani, Dragashi, Gjakova e Fushë Kosova, nuk figuron asnjë biznes i regjistruar si çajtore./