Hulumtimi i Buletinit: ZRrE korrigjon kostot për Fondin e BRE-ve, 7.4 milionë euro u hiqen konsumatorëve nga tarifat për 2026

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka propozuar që për vitin 2026 të mos ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, ani pse kërkesa e KESCO-s ishte për 21 për qind rritje të tarifave për këtë vit.
Në raportin konsultativ që ka publikuar ZRrE, shihet se deri të ky vendim, erdhi pas një korrigjimi ‘drastik’ të kostove për disa kategori të shpenzimeve dhe transferim të kostove në vitet pasuese për disa kategori tjera.
Reduktim i ndjeshëm i kostove vërehet sidomos të shpenzimet operative të KESCO-s, investimet kapitale të KEDS dhe humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes.
Por një korrigjim ‘drastik’ vërehet edhe tek Fondi për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë (BRE), për të cilën Buletini Ekonomik pati zhvilluar një hulumtim në nëntor të vitit të kaluar.
Rreth 7.4 milionë euro u janë hequr konsumatorëve nga tarifat për 2026 vetëm nga ky fond.
Po ashtu, fondi i BRE-ve është reduktuar ndjeshëm nga 15.51 milion € në 8.08 milion €, ndërsa kostot e OST/OT mbeten pothuajse të pandryshuara”, thuhet në raportin e ZrrE për KESCO-n.
Nga viti 2023, konsumatorët e rrymës në Kosovë e kanë paguar tarifën e Fondit të BRE-ve katërfish më shtrenjtë, apo 3.14 euro për megavatë orë, prej 73 cent sa ka qenë në vitin 2022. Kjo rritje erdhi si rezultat i dështimit të KOSTT-it dhe ZRrE-së në menaxhimin e këtij fondi dhe favoreve ndaj prodhuesve të energjisë së ripërtëritshme në “kurriz” të konsumatorëve.
Vetëm për periudhën 2022-2024, nga keqmenaxhimi i këtij Fondi u krijuan shpenzime shtesë rreth 15 milionë euro për konsumatorët e rrymës në Kosovë. Të gjeturat dalin nga një raport i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), e cila e kishte audituar Fondin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE) për periudhën 2022-2024.
Ky raport, që është bërë publik në muajin gusht 2025, shpërfaq një mal me shkelje nga KOSTT (e cila menaxhon me këtë fond) dhe dështime në mbikëqyrje e favore për prodhuesit e BRE-ve nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), e cila e ka nën mbikëqyrje në të njëjtën kohë edhe KOSTT-in edhe Fondin.
Të dyja këto institucione dështuan në detyrat e tyre për menaxhim dhe mbikëqyrje efikase, duke bërë që ky Fond të arrijë në 17.34 milionë euro për vitin 2025, prej vetëm 2.87 milionë euro sa ka qenë në vitin 2018. Të gjitha shpenzimet që krijohen nga Fondi u ngarkohen konsumatorëve fundorë në faturat e energjisë elektrike.
Qëllimi i krijimit të këtij Fondi në vitin 2017, ishte financimi i blerjes së energjisë nga burimet ripërtëritshme për të gjithë prodhuesit e energjisë nga burime të pastra. Këtë privilegj e gëzojnë mbi 30 prodhues që janë pjesë e Skemës Mbështetëse. Këta prodhues e kanë të garantuar shitjen e energjisë në KOSTT me çmim të favorshëm (tarifat nxitëse).
Përgjegjës për blerjen e kësaj energjie është KOSTT, e cila këtë energji pastaj e shet tek furnizuesit, ku dominon si blerës KESCO, me 90 për qind nga totali i energjisë së prodhuar nga burimet e ripërtëritshme.
Sipas aditorëve të shtetit, menaxhimi i dobët i fondit nga KOSTT e ZRRE dhe favoret ndaj prodhuesve të BRE-ve, i shumëfishuan kostot e fondit, duke i ngarkuar konsumatorët e rrymës përtej çdo parashikimi.
LEXO HULUMTIMIN: 

Dështimi i ZRrE-së e KOSTT-it në mbikëqyrje katërfishoi tarifën e BRE-ve për konsumatorët e rrymës