Lidhjet e Ferizajt dhe Vitisë me autostradën “Arbën Xhaferi” ende po negociohen me Bechtelin

Rreth 32 milionë euro pritet t’i kushtojnë shtetit dy lidhje në Autostradën “Arbën Xhaferi” dhe ndërtimi i një mbikalimi. Por, se kur do të fillojnë punimet për këto projekte, ende s’ka datë. Ministri Pal Lekaj thotë se janë duke negociuar me “Bechtel&Enkan” dhe se pas përfundimit të negociatave do të nënshkruhet marrëveshja dhe do të nisin punimet.

Autostrada “Arbën Xhaferi” nuk ka përfunduar së ndërtuari ende.

Pavarësisht se përurimi i saj është bërë më 29 maj të vitit të kaluar, në të do të kryhen punime deri në fund të këtij viti.

Reklama e sponzorizuar

Arsye për këtë është vendimi i Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e afatit të Kontratës deri në dhjetor 2020, për punët shtesë në ndërtimin e dy kyçjeve në Ferizaj dhe Viti dhe mbikalimin në Paldenicë.

Por, se kur do të fillojnë punimet për ndërtimin e këtyre lidhjeve dhe mbikalimit, ende nuk po dihet. Datë për këtë nuk kanë dhënë as në Ministrinë e Infrastrukturës.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj i ka thënë Gazetës Express se aktualisht janë duke negociuar me kompaninë që do t’i kryej punimet dhe se pas nënshkrimit të kontratës do të fillojnë punimet.

Sipas Lekajt, negociatat pritet të përfundojnë gjatë këtij muaji dhe tek atëherë do të bëhet nënshkrimi i kontratës.

“Pas përfundimit të procesit të negociatave mes ministrisë dhe kompanisë, pritet nënshkrimi i kontratës dhe fillimi i punimeve. Mbrenda janarit, nëse shkon sipas dinamikes së paraparë”, ka thënë Lekaj për Express.

Punimet në këto projekte pritet që t’i kushtojnë buxhetit me miliona euro.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini ka deklaruar se Ministria që udhëhiqet nga Pal Lekaj ka paraqitur kërkesë për ndarje në shumë prej 32 milionë euro për finalizimin e këtyre projekteve.

“Sa i përket pyetjes, Ministria e Infrastrukturës me kërkesa buxhetore për vitin 2020 ka paraqitur kërkesën në shumë prej 32,200,000 € emër te realizimit të projektit (ndërtimin e kyçjeve nga Ferizaj dhe Vitia në autostradën “Arbën Xhaferi” dhe mbikalimin në Paldenicë ), pjesë e projektit Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit”, kishte thënë Shahini për Express.

Ndryshe, autostrada që mban emrin e politikanit shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Arbën Xhaferi, sipas kontratës fillestare parashihej që t’i kushtonte shtetit rreth 600 milionë euro. Por, gjithçka ndryshoi me fillimin e punimeve.

Për shkak të mosrespektimit të kontratës, kompania amerikano-turke kishte detyruar Qeverinë e Kosovës të paguaj 53.1 milionë euro.

Arsyet ishin për zvarritje të punimeve, si dhe për vonesa në pagesa të mjeteve në të kundërtën kushtëzuan se i ndërpresin punimet në Autostradën “Arbën Xhaferi” për ta dërguar lëndën në Arbitrazhin ndërkombëtar.

Menjëherë pas këtij paralajmërimi, Qeveria Haradinaj mori vendim që ta shlyejë këtë borxh. Kyeministri Ramush Haradinaj pati thënë se po i ndajnë këto para për të mos u përballur me procese gjyqësore.

Ky vendim i të parit të ekzekutivit është vënë nën llupën e organeve të hetuesisë.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi kishte konfirmuar se Prokuroria dhe Policia Hetuese janë duke mbledhur të dhëna lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove shtesë për këtë kompani.

“Prokuroria, së bashku me Policinë Hetuese, do të mbledhë të dhëna dhe informacione të nevojshme për t’u siguruar se a ka dyshim të arsyeshëm se a është kryer ndonjë vepër penale për të cilën ndjekja ndërmerret sipas detyrës zyrtare“, kishte thënë Lumezi.