Kuvendi i Republikës së Kosovës më 2 shkurt 2019 kishte miratuar Ligjin për Paga, i cili u mundësonte rritjen e pagave të mbi 70 për qind të punonjësve në sektorin publik, por ky Ligj nuk po e gjen dot rehatinë, e 2020 do të përballet përsëri me ligjin problematik.
Ky Ligj, disa punonjësve të sektorit publik ua plotësonte kërkesat për të pasur një pagë të dinjitetshme, por në të njëjtin sektor disave iu ulej koeficienti që rezultonte me ulje të pagës po ashtu.Në anën tjetër dallimi më i madh ndodhi me sektorin privat.
Ligji për Paga u votua nga deputetet e Legjislaturës së VI (gjashtë) të Kuvendit të Kosovës më 2 shkurt, por “Amin-in” nuk e morri nga i pari i vendit, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.Thaçi e pranoi Ligjin më 12 shkurt, pas kësaj date ishte afati ligjor prej 8 ditësh ta dekretonte apo ta kthente përsëri në Kuvend për rishqyrtim, por që ky i fundit vendosi të mos e dekretoj, në këtë mënyrë Ligji hyri në fuqi në mënyrë të heshtur, ku 9 muaj më vonë hyri në Gazetën Zyrtare duke i mundësuar hyrjen në fuqi të Ligjit.
Presioni më i madh që u ndje që ky Ligj të votohej nga deputetët erdhi nga punëtorët e sistemit arsimor edhe atyre të shëndetësisë.
Madje, për 3 javë të plota sistemi arsimor në vend u pezullua nga greva që u bashkuan gjithë mësimdhënësit në Kosovë përmes Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK) ku në emër të tyre kjo sindikatë nguli këmbë të mos ketë shërbim të mësimdhënësve deri sa të u plotësohen kërkesat për ngritjen e koeficientëve për disa kategori në arsim.
Gjatë tërë kësaj periudhe vazhdimisht janë shprehur pakënaqësi të shumta përbrenda sektorit publik, ku rreth 23 mijë shërbyes civilë në administratën lokale dhe qendrore të Kosovës u shprehën kundër këtij Ligji shumë sindikata të fushave të tjera si ajo e Shërbimit Civil të Kosovës, kontrollorët e trafikut ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, Sindikata e Korporatës Energjetike e Kosovës (KEK), Sindikata e punëtorëve në Shërbimin Korrektues të Kosovës (ShKK), Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë në Kosovë (KOSTT), Kirurgët e Qendrës se Klinikës Universitare të Prishtinës (QKUK), mësimdhënësit e ciklit të ulët e të tjerë.
Sipas palëve të pakënaqura, Ligji për Paga i miratuar 2 shkurt ishte diskriminues ku këto kategori mbesin jashtë ndryshimit të kërkuar apo edhe u ulej koeficienti, prandaj kërkesa e tyre ishte që Ligji të kthehej përsëri në Kuvend për rishqyrtim ose të pezullohej, pasi që 22 mijë punëtorë të tjerë të sektorit publik nuk iu ishin realizuar kërkesat.
Ligji për Paga do të duhej të fillonte së zbatuari 9 muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare, përkatësisht më 1 dhjetor 2019.
Pak para se të fillonte edhe zbatimi i tërësishëm i Ligjit, në derën e Avokatit të Popullit arritën shumë ankesa nga palët e pakënaqura.
Institucioni i Avokatit të Popullit (OIK) pranoi ankesa nga 35 sindikata dhe ankues të ndryshëm të sektorit publik.
Pas shqyrtimit të ankesave, OIK më datën 5 dhjetor të 2019 mori vendim ta dërgoj Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese.
“Avokati i Popullit konsideron se Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Shtojca një (1) e këtij ligji nuk kanë arritur ta bartnin frymën kushtetuese në kuptimin e ndarjes së pushteteve, të barazisë para ligjit dhe as garantimin e së drejtës pronësore. Për më shumë, Avokati i Popullit konsideron se ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe parashikueshmërisë së tij”, thuhej në sqarimin e OIK.
Avokati i Popullit kërkoi që të vendoset një masë e përkohshme për zbatimin e Ligjit deri sa të marr një vendim instance më e lartë, Gjykata Kushtetuese e cila e bën vlerësimin më të mirë në lidhje me pajtueshmërinë e këtij Ligji me Kushtetutën e vendit.
“Avokati i Popullit ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, duke vlerësuar se vendosja e masës të përkohshme është e nevojshme për ta mbrojtur interesin publik dhe për të evituar dëme të pariparueshme që do të mund të shkaktoheshin me zbatimin e këtij ligji”, thuhet më tej në sqarimin e Avokatit të Popullit.
Menjëherë pas këtij vendimi të OIK, nuk munguan reagimet. SBAShK-u paralajmëroi institucionet se nëse nuk do të respektohet Ligji i cili parasheh rritjet e pagave për punëtorët e arsimit, sistemi arsimor do të mbaj greva të cilat do t’i thellojnë.
Të enjten e 12 dhjetorit, SBAShK-u njoftoi se ditën e nesërme, më 13 dhjetor (e premte), në tërë sistemin arsimor do të ketë grevë 2-orëshe, pas kësaj paralajmëroi greva edhe më të thella.
Pas kësaj, nuk vonoi as përgjigja e Gjykatës Kushtetuese, e cila më 12 dhjetor mori vendimin final që të ketë pezullim të Ligjit për Paga.
Kushtetuesja e miratoi kërkesën e Avokatit të Popullit që të ketë masë të përkohshme për zbatimin e këtij ligji, e kështu Ligji për Paga u pezullua e kjo do të vazhdoj deri më datën 30 mars 2020.
E kush do të përfundoj i kënaqur, e kush jo, kjo përgjigje do të mësohet në fund të marsit, ku edhe përfundon afati i Kushtetueses për pezullimin e këtij ligji. /Njeshi/