Ministria e Integrimit Evropian, në krye me minstren tashmë në largim, Dhurata Hoxha ka vazhduar me tenderime e ritenderime edhe tash në kohën kur e njëjta duhet që ta lërë postin e saj.
Ministria që ajo udhëheqë, para 10 ditëve, më saktësisht më 25 dhjetor të 2019-s, kishte shpallur njoftimin për kontratën “Shërbime dizajnimi, krijimi dhe mirëmbajtje të ueb faqeve për nevoja të MIE-së”, por si ritenderim. E gjithë kjo kontratë pritet që t’i kushtojë Ministrisë së Integrimit Evropian 30 mijë euro, përcjell Buletini Ekonomik.
Po të njëjtin tender, ministria në fjalë e kishte hapur edhe në fund të muajit gusht, më 30.08.2019, por që tek pas dy muajve ai do të anulohej. Në atë kohë, ky tender peshonte vetëm 14 mijë e 400 euro.
Ndonëse, në tenderimin e parë për këtë punë ishin paraparë të shpenzoheshin vetëm diku 14 mijë euro, pas anulimit dhe shpalljes së tenderit tjetër, vlera e tij është rritur për mbi 16 mijë euro, duke arritur vlerën tani në 30 mijë euro.
Ndërkohë, vendimi për anulimin e këtij prokurimi u dha më 12 nëntor 2019, për t’i hapur rrugë sërish ritenderimit pas një muaji, por që me një çmim prej 16 mijë eurove më shumë sesa çmimi i prokurimit të parë, ndonëse qëllimi i tenderit ishte i njëjti.
Ndërsa, arsyeja e anulimit të aktivitetit të prokurimit për këtë tender, dhënë nga MIE-ja ishte se një shkelje e LPP-së ka ndodhur apo do të ndodhë në procedurën e prokurimit, e cila sipas tyre nuk mund të rregullohej apo të parandalohej përmes një amendamenti ligjor të kushteve të prokurimit.
E operatorët ekonomikë që do të aplikojnë sipas njoftimit të MIE-së, do të kenë afat për t’i dorëzuar tenderët deri më 8 janar të 2020-s. /Buletini Ekonomik/