Ndalimi i thëngjillit sfidë – Inspektorati konfiskoi 20 ton vitin e kaluar

Ndalimi i përdorimit të thëngjillit ka shtyrë që kjo lëndë djegëse të shitet në mënyrë ilegale. E për këtë, janë mobilizuar Policia e Kosovës së bashku me Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).

Këta të fundit, kanë thënë se vitin e kaluar kanë frekuentuar disa pika të shitjes, ku pas verifikimit kanë konfiskuar këto lëndë djegëse.

Bedri Halimi, kryeinspektor në MMPH, ka thënë se inspektimet i kanë bërë me Policinë e Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

“Inspektorati i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor së bashku me KPMM-në dhe Policinë e Kosovës ka bërë inspektime të herëpashershme në burim të problemit sidomos në pikat ekspalutuese dhe i është tërheq vërejtja të gjithëve që një gjë e tillë është e ndaluar dhe në rastet kur është hasur dikush duke bërë eksploatime ilegale është dërguar në Gjykatë”, ka thënë ai.

Sipas tij, po ashtu gjatë vitit 2019, Inspektorati i MMPH-së së bashku me subjektet tjera edhe në pikat e shitjes i ka frekuentuar në një vend të ndryshme të Kosovës, në veçanti të pjesës së Prishtinës dhe përreth dhe ku do që kanë hasur kamionë me thëngjill për të shitur i kanë konfiskuar atë.

Halimi ka thënë se gjatë vitit të kaluar kanë arritur t’i konfiskojnë afro 20 tonë me thëngjill.

Madje, Halimi ka paralajmëruar se nëse përsëritet kjo dukuri, do t’iu konfiskohet edhe kamioni dhe do të veprohet konform legjislacionit në fuqi, ku sipas tij gjobat mandatore përfshihen prej 100 deri në 5000 euro, raporton EO.

“Afër 20 tonë gjatë vitit që lamë pas, ndërkohë, gjatë fillimit të këtij viti, vërehet një rënie e intensitetit të personave të caktuar që merren me shitje ilegale të thëngjillit, përshkak se e kanë të qartë se do t’iu konfiskohet. Ndërkaq, iu është bërë me dije se atyre mund t’iu konfiskohet edhe kamionët për herë të dytë nëse hasim në pikat e tregut. Ne kudo që hasim në shitje të thëngjillit, kjo do të thotë se është shitje ilegale dhe aty nuk ka vërejtje, aty ka vetëm konfiskim të thëngjillit, ndërkaq, kur i konfiskohet i merren të dhënat personit të caktuar dhe nëse ai vepron njëjtë, atëherë do të ketë konfiskim të makinerisë”, ka thënë ai.

Halimi ka thënë se numri i inspektorëve është i kufizuar, ku thotë se në tërë territorin e Kosovës janë vetëm pesë inspektorë të mjedisit për tërë çështjet mjedisore.

“Me vet faktin që kemi bërë konfiskimin, gjoba më e madhe ka qenë vetë konfiskimi por nëse ndodh që të bëhet ripërsëritja e veprës, atëherë do të veprohet konform legjislacionit në fuqi, ti bëhen edhe gjobat mandatore, që përfshihen prej 100 deri në 5000 euro”, ka thënë ai.