Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka reaguar pas vendimit të Gjykatës për rastin e njohur si Pronto, duke thënë se institucionet më të rëndësishme të vendit janë në shërbim të një grushti kriminelësh e abuzuesish dhe se kjo e dëshmon edhe njëherë faktin se shteti i Kosovës është i kapur.
Nagavci përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar që sa më shpejtë të formohet qeveria e re, në mënyrë që besimin e dhënë nga qytetarët ta kthejnë në veprim për çkapjen e shtetit dhe të institucioneve për rend dhe ligj, përcjell Buletini Ekonomik.
“Andaj sot, më shumë se asnjëherë më parë është koha që besimin që na e dhanë qytetarët për themelimin e Qeverisë së re, ta kthejmë në veprim e punë për çkapje të institucioneve, për rend e ligj. Shteti i së drejtës në luftë kundër krimit të organizuar ishte premtim i joni elektoral dhe është angazhim deri në jetësim. Kemi obligim që të ideojmë dhe zbatojmë procesin e përgjithshëm të vettingut për prokurorinë, gjykatat, drejtuesit e lartë të Policisë dhe Agjencisë për Inteligjencë të Kosovës si dhe hartimin e zbatimin e Ligjit Antimafia, ku barra e provës për pasurinë e pajustifikueshme bie mbi zyrtarin e personin e hetuar”, ka shkruar nënkryetarja e re e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci.
Nagavci thotë se kalkulimet partiake duhet të jenë të parëndësishme përballë nevojës së qytetarëve për një të ardhme ndryshe.
“Sot prioritet duhet të jetë formimi i Qeverisë së Re, të gjitha ate që besojmë se kanë të njejtin synim duhet të gjejnë rrugën për të ecur bashkë përpara”, ka shkruar tutje Nagavci.