Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka treguar nëse do të pranojë – që herën e dytë ai të jetë i mandatuari i Hashim Thaçit për krijimin e qeverisë.
“Mendoj se kjo është çështje e Vetëvendosjes, që z. Kurti duhet ta shfytëzojë maksimalisht mandatin që e ka”.
“Ajo pas datës 4 shkurt është një periudhë që asnjëri prej nesh nuk e di se çfarë do të ndodhë. Nuk mund të japë një përgjigje të tillë”.
“Ne vullnetin tonë e kemi pasur dhe e kemi ta përmbyllim këtë koalicion me Vetëvendosjen, por natyrisht duke respektuar njëra- tjetrën si palë të kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Mustafa për TV 21, shkruan Insajderi.
Mustafa poashtu ka thënë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje.
“Mendoj se zgjedhjet nuk janë zgjidhje e vetme dhe nuk duhet të ndodhin. Mirëpo a do të ndodhin apo jo në rend të parë është përgjegjësi e partisë, e cila ka dalë e para. Zgjedhjet janë një instrument demokratik, por mendoj se qytetarët nuk kanë dalë në zgjedhje më 6 tetor të vitit të kaluar për të shkuar në zgjedhje të reja, por për të formuar institucionet e Republikës së Kosovës”.
“Prandaj, nuk duhet shumë të imtësohet kjo çështje, të shikohet në detaje tepër të holla, të dyshohet në qeverisjen e mëtutjeshme, por të bëhet qeveri prej njerëzve të zakonshëm, sepse ne nuk jemi të veçantë asnjëri në këtë vend”.
“Do të thotë nuk jemi njerëz hyjnorë që duhet tash të pritet që me çdo kusht të arrihen edhe rezultate hyjnore. Jemi këta njerëz që jemi, të Kosovës, duhet t’i besojmë njëri- tjetrit dhe duhet ta bëjmë një qeveri që ju shërben qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
Ende nuk dihet nëse Kurti dhe Mustafa do të kenë takimin e radhës sot, në tentim për ta arritur marrëveshjen e bashkëqeverisjes.
Në anën tjetër, Zyra për Media e Vetëvendosjes, ka njoftuar se lideri i tyre dhe i mandatuari për kryeminstër, do të takohet sot me zyrtarët Listës Serbe.