Në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, gjatë dhjetë muajve janar-tetor 2019, kemi një rritje të sasisë së importit të duhanit për 53 mijë e 59.62 neto kilogramë apo mbi 53 tonelata ku nga kjo sasi e importuar u vjelën taksa në kufi prej 7 milionë e 22 mijë e 37.13 euro më tepër.
Analizuar më tepër i bie, që për një kilogram të pastër duhani, në arkën e shtetit derdhen mesatarisht 62 dhe 63 euro taksa. Në kuadër të kësaj shume bënë pjesë detyrimi doganor prej 2.18 euro, akciza në mes 48 dhe 49 euro dhe TVSh me 13.01 euro.
Nga vjen ky duhan?
Në periudhën janar-tetor të 2018-ës, KALLXO.com ka evidentuar 5 vendet ku më së shumti Kosova bleu duhan, ato janë: Polonia me sasi prej 540 tonelata që kishte vlerën e rreth 18.4 milionë euro, pas Polonisë radhitet shteti i Zvicrës. Nga Zvicra në Kosovë erdhën hiç më pak se 404.4 tonë në vlerën e rreth 10.9 milionë euro, pastaj nga Gjermania me sasi prej 381.1 tonë në vlerën e rreth 8.9 milionë euro, Turqia me 318.8 tonë në vlerë prej 6.4 euro, nga Kroacia janë importuar rreth 278.7 tonë me vlerë rreth 4.4 milionë euro.
Bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës, edhe në dhjetë muajt e vitit 2019, në mesin e 5 eksportueseve më të mëdhenj të duhani për në Kosovës prin Polonia me 530.2 tonelata në vlerën e mbi 19 milionë euro, pastaj Gjermania me 409 tonelata me vlerë të përgjithshme mbi 9.8 milionë euro, Turqia me 371.4 tonelata në vlerë mbi 6.7 milionë euro, me 335.6 tonelata duhan kontribuoi Zvicra në vlerën e mbi 8.4 milionë euro si dhe Kroacia i eksportoi duhan Kosovës 275.5 tonë në vlerë mbi 5.4 milionë euro.
Kosova bleu duhan edhe nga vendet tjera por me sasi më të vogla.
Nga vendet fqinje, Kosova importoi duhan nga Maqedonia e Veriut 114.7 tonë me vlerë prej 1.3 milionë euro dhe nga Mali Zi me 5.8 tonë me mbi 400 mijë euro.
Për dallim nga viti 2018-të, kur Kosova kishte sasi të vogël duhani edhe nga Shqipëria, në vitin 2019 nuk është evidentuar se ka importuar në dhjetë muajt.
Vetëm nga taksa e duhanit mund të 8fishohen investimet në Spitalet e Kosovës
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (ShSKUK), është formuar në bazë të Ligjit për Shëndetësi nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si institucion autonom dhe i pavarur publik shëndetësor në kuadër te saj bëjnë pjesë institucionet e nivelit dytësor dhe tretësor.
Në bazë të Ligjit për Buxhetin për vitin 2019, ShSKUK për sivjet, në llogarinë e saj ka 121 milionë 171 mijë e 263 euro. ku nga kjo shumë, mbi 19 milionë e 71 mijë e 200 euro janë për investime kapitale.
Bazuara në këto të dhëna, të hyrat buxhetore vetëm për dhjetë muaj të realizuara nga taksat në kufi për duhanin, mbi 156.4 milionë euro do t’i siguronte buxhetin këtij institucioni për më shumë se një vjet apo do t’i 8fishoj investimet në spitalet e Kosovë,
Mesatarisht 11 persona çdo minutë vdesin nga pirja duhanit
Sipas Organizatës Botërorë për Shëndetësi (WHO), në botë, vdesin rreth 6 milionë njerëz. Përkthyer në orë dhe minuta, i bie se çdo minutë vdesin mesatarisht 11 persona në botë nga pirja e duhanit.
Në anën tjetër, në Kosovë thuhet se rreth 2 mijë persona në vit humbin jetën si pasojë e tymosjes së duhanit apo mesatarisht 5 persona çdo ditë.