Partia e Albin Kurtit i kundëpërgjigjet PDK-së për Syrin e Popullit

Partia e udhëhequr nga Albin Kurti iu është kundërpërgjigjur Partisë Demokratike të Kosovës, për akuzat që këta të fundit kanë bërë se LV-ja kishte krijuar dhe frymëzuar organizatën ‘Syri i Popullit’, raporton Gazeta Express.

Në një përgjigje për Gazetën Express nga LV-ja kanë deklaruar se Partia Demokratike duhet të distancohet fillimisht nga deklaratat e rreme që kanë dhënë nën betim, kreu i kësaj partie, Kadri Veseli dhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

“PDK duhet të distancohet nga deklaratat e rreme në betim të kryetarit të kësaj partie, Kadri Veseli dhe presidenti Hashim Thaçi të cilit kishin deklaruar në Gjykatë se Albin Kurti dhe Glauk Konjufca janë pjesë e organizatës “Syri i Popullit”, për të cilat deklarata është bërë edhe kallëzim penal.

Reklama e sponzorizuar

Para se të formulojnë komunikata shpifëse dhe tendencioze PDK duhet të jep përgjegjësi për deklaratat e zyrtarëve të saj të cilat ishin përpjekje e dështuar për ta akuzuar Lëvizjen si organizatë terroriste”, kanë deklaruar nga zyra për media e Vetëvendosjes.

Partia Demokratike e Kosovës sot përmes një komunikate për media kanë akuzuar Vetëvendosjen se kanë krijuar dhe frymëzuar organizatën Syri i Popullit.

Nga PDK’ja ka thënë se VV’ja duhet të distancohet nga organizata “Syri i Popullit”.

“Partia Demokratike e Kosovës e dënon fuqishëm përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje e cila me qëllime dashakeqëse krijoi, frymëzoi dhe shtyri këtë grup terrorist për të eliminuar kundërshtarët  politikë. PDK kërkon nga Lëvizja Vetëvendosje që të distancohet nga ky grup terrorist”, thuhet në komunikatë.

Tutje, PDK thotë se me dënimin e anëtarëve të “Syrit të Popullit”, të cilët i ka quajtur grup të terroristëve, institucionet e Kosovës janë dëshmuar profesionalizëm.

“Institucionet e Kosovës dëshmuan edhe njëherë fuqinë dhe profesionalizmin për të parandaluar, kapur dhe dënuar një grup të terroristëve të cilët kishin ndërmarrë një tentim vrasje dhe po planifikonin të vrisnin kundërshtarët politikë ku në listat e tyre të ekzekutimit figuronin udhëheqës shtetërorë, figura të partive politike dhe personalitete publike”, thekson komunikata.