Polici i rënë në krye të detyrës, Sami Thaqi, është shpallu hero ri i Republikës së Kosovës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese, dekoroi sot policin Sami Thaqi me urdhrin “Hero i Kosovës”.
“Heroizmi i Samiut, Enverit, Izetit dhe i dhjetëra policëve të rënë në krye të detyrës është krenari e Republikës së Kosovës. Sakrifica e tyre në mbrojtje të rendit dhe ligjit na obligon që të punojmë edhe më shumë për një Kosovë të qetë e stabile dhe një vend më të mirë për gjithë qytetarët tanë”, tha Thaçi, transmeton Koha.net.
Kujtojmë gjithashtu se Qeveria e Kosovës ka ndarë sot 15 mijë euro për familjen e Sami Thaqit, policit të vrarë në Zhur të martën, si pasojë e një shpërthimi gjatë një bastisjeje.
Nga dhjetë mijë euro janë ndarë për dy policët e plagosur, Artur Mrasori dhe Jetmir Hasani.
Këto mjete financiare janë ndarë nga fondi i subvencioneve dhe transfereve.
Po ashtu, përveç pensionit prej 70% të pagës, Qeveria në detyrë ka miratuar vendimin për ndarjen e 300 eurove shtesë të pensionit familjar mujor për policët e rënë në detyrë.