Politika shihet si frenuese e reformave në drejtësi

Politika mbetet frenuesi kryesor i reformave në sistemin e drejtësisë, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare që monitorojnë organet e drejtësisë. Rrjedhimisht, thonë ata, sistemi i drejtësisë është shndërruar në një degë të pushtetit ekzekutiv.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se sistemi gjyqësor dhe prokurorial në aspektin e funksionimit, operimit dhe llogaridhënies është tërësisht i pavarur nga politika, por sipas tij, në praktikë nuk ka arritur ta ruajë pavarësinë.

Reklama e sponzorizuar

“Sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial nuk ka arritur që ta ruajë këtë pavarësi, duke sjellë sistemin në një gjendje ku praktikisht politika e kontrollon sistemin e drejtësisë dhe duke e shndërruar të njëjtin në një degë të pushtetit ekzekutiv”, thotë ai.

Kjo gjendje, sipas Miftarajt, ka ndikuar që sistemi i drejtësisë në Kosovë të mos përmbush misionin në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, trajtimin e lëndëve të qytetarëve në çështjet civile dhe administrative brenda afateve të arsyeshme kohore.

“Kjo ka sjellë një gjendje ku sistemi i drejtësisë është kthyer në shkelësin më të madh të drejtave dhe lirive të njeriut”, shprehet Miftaraj.

Bazuar në ndarjen e pushteteve, Miftaraj thotë se politika do të duhej të rrinte larg sistemit të drejtësisë.

“Kjo ka mundësi të arrihet nëse ka vullnet politik dhe qëllim të mirë në ndërtimin e një sistemi të drejtësisë që objektiv ka qytetarin dhe të drejtat e tij dhe në asnjë mënyrë interesat e politikës dhe grupeve të interesit. Në fazën në të cilën sot gjendet Kosova, kjo nuk mund të arrihet pa një proces të vettingut i cili duhet të pastrojë sistemin e drejtësisë nga korrupsioni, joprofesionalizmi dhe politika”, tha Miftaraj.

Arbëresha Loxha, drejtoreshë ekzekutive në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, tha për Radion Evropa e Lirë, se ndikimet politike në sistemin e drejtësisë, janë duke pamundësuar luftën kundër korrupsionit në Kosovë duke shkaktuar, sipas saj, edhe ngecje të tjera në ketë mekanizëm. E gjithë kjo situatë, thekson ajo, ka ndikuar që besimi i publikut në sistemin e drejtësisë të bie ndjeshëm.

“Konsiderojmë se sistemi i drejtësisë në Kosovë vuan nga ndikimi politik dhe kjo mbetet një nga brengat kryesore në proceset reformuese dhe në procesin integrues. Qeveria e kaluar nuk ka bërë asnjë hap konkret në drejtim të një reforme përmbajtjesore në sundimin e ligjit dhe rrjedhimisht nuk kemi pasur asnjë rast konkret në luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimit të performancës së sektorit të drejtësisë”, tha ajo.

Loxha tha se sistemi i drejtësisë në vend ka probleme të shumta. Sipas saj, pos reformave të thella, edhe çështja e verifikimit, apo siç njihet ndryshe me termin si “vetting”, është shumë i domosdoshëm.

“Konsiderojmë se vettingu mbetet mjeti i vetëm me te cilin mund të reformohet sistemi i drejtësisë, pra të pastrohet nga individë që janë të ndikuar politikisht dhe jo profesionistë dhe që nuk kanë pastërti të figurës dhe të rritet rrjedhimisht niveli i besimit në këto institucione, duke u rritur performanca dhe efiqenca e sistemit të drejtësisë”, tha Loxha.

Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, thotë se pritjet e shoqërisë për reformën në sistemin e drejtësisë janë të mëdha nga qeveria e ardhshme. Por, sipas tij, për të pasur sukses një reformë në drejtësi, matja e performancës së prokurorëve dhe gjyqtarëve është më se e domosdoshme.

“Momentalisht, në sektorin e sistemit të drejtësisë, çështja që më së shumti çalon është çështja e matjes së performancës së prokurorëve dhe gjyqtarëve. Edhe pse ekzistojnë dispozita ligjore e njëkohësisht ekzistojnë edhe komisionet brenda Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor, që ishte dashur të merreshin me matjen e performanës, kjo nuk po ndodh”, tha Demhasaj.

Në studimet e organizatave të ndryshme vendore, thuhet se sistemi i drejtësisë në Kosovë duhet të ndryshojë për të kthyer besimin e qytetarëve.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka deklaruar se gjykatat janë shkelëset më të mëdha të të drejtave të njeriut.

Aktualisht në Kosovë, numri i lëndëve në procedim, sipas tij, është rreth 200 mijë, derisa kohëzgjatja e lëndëve gjyqësore, ka theksuar Jashari, kalon afatin minimal 5-vjeçar, çka sipas tij, është në kundërshtim me çdo standard.