Ministri i Financave në detyrë, Lulzim Rafuna, ka prezantuar sot raportin e punës të kësaj ministrie gjatë vitit 2019, ku u bë e ditur se të hyrat e përgjithshme buxhetore kanë shënuar rritje prej 6.8 për qind.
Rafuna tha se sa i përket performancës ekonomike ka një rritje prej 4 për qind, që sipas tij, është e shtyrë nga investimet private, publike dhe nga konsumi privat.
Ai bëri të ditur se inflacioni ka tendencë të rritjes, ku tha se është një inflacion që vije nga importi.
Rafuna tha se është inflacion i importuar ku edhe nëse shikohen të dhënat e importit të Doganës së Kosovës shihet që përkundër që ka një rënie të sasisë së importit për 1 për qind, vlera e mallrave të importuara është mbi 4 për qind dhe kjo sipas tij, automatikisht ka reflektuar edhe tek inflacioni ku ka tendencë e rritjes gjatë vitit 2019.
“Sa i përket të hyrave të përgjithshme buxhetore kemi një rritje prej 6.8 për qind më shumë sesa viti 2018, që për neve nënkupton viti paraprak, të hyrat arritën në masën e 1 miliard e 874 milionë euro, ndërsa ishin të planifikuara në masën e 1 miliard e 938 milionë euro. Kjo paraqet një realizim të planit për rreth 97 për qind, që është një sukses shumë i madh për arsye se ne nuk kemi pasur asnjë tatim të ri të vendosur gjatë vitit 2019 dhe nuk kemi pasur asnjë të rritur, asnjë tatim ekzistues të cilët janë sot në fuqi. Mirëpo, ka ndodhur e kundërta ku kemi marrë masa të politikave fiskale ku kemi liruar shumë produkte të lëndës së parë, të gjysmëprodukteve, linjave të prodhimit, si dhe në lëndët ndihmëse që iu kanë nënshtruar tatimit të akcizës dhe kanë marrë pjesë në procesin e prodhimit. Do të thotë ky trend shumë pozitiv dhe shumë i mirë ka ardhur si rezultat i gjallërimit të ekonomisë së Kosovës, më pas edhe shtimit të aktiviteteve sidomos të dy administratave, Administratës Tatimore dhe Administratës Doganore, si dhe duke mos përjashtuar masat e politikës fiskale”, tha ai.
Rafuna tha se Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës kanë treguar një performancë të jashtëzakonshme gjatë vitit 2019.
“Administrata Tatimore ka arritur që gjatë vitit të kaluar për herë të parë ta kalojë shifrën e 500 milionëshit, ku në total ka mbledhur 504 milionë të hyra dhe ka kontribuar në përqindje më shumë sesa viti paraprak rreth 10.4 përqind. Ndërsa, realizimin e ka rritur rreth 97 përqind të planifikimit që ka qenë i paraparë për Administratën Tatimore. Sa i përket Doganës, Dogana ka arritur t’i mbledh 1 miliardë e 179 mijë të hyra, ndërsa kthyer në përqindje është 4 për qind më shumë sesa viti paraprak, ndërsa me planin ka arritur që rreth 95 për qind të planit ta realizojë. Tek Dogana më duhet ta potencoi se kanë ndikuar të gjitha masat e politikës fiskale, ku të dhënat tregojnë se gjatë vitit të kaluar impakti i politikave fiskale që kemi liruar për të gjithë prodhuesit tanë ka qenë rreth 81 milionë, më pas impakt ka pasur edhe marrëveshja e tregtisë së lirë me Turqinë e cila ka filluar të implementohet prej muajit shtator të vitit të kaluar, ku deri në fund të vitit për tre muaj impakti i saj ka qenë rreth 2 milionë e gjysmë. Impakt ka pasur edhe marrëveshja e Stabilizim Asocimit, e cila ka sjell rreth 20 milionë më pak të hyra në Administratën Doganore”, tha ai.
Ministri në detyrë i Financave, tha se sa i përket shpenzimeve të buxhetit ka pasur një rritje prej 7.3 për qind, ku shpenzimet kanë arritur vlerën e 2 miliardë e 90 milionë euro, por që ai tha se ishin planifikuar 2 miliardë e 373 milionë euro, e që sipas tij, ka një nënshpenzim të shpenzimeve të planifikuara.
“Sa i përket shpenzimeve të buxhetit kemi pasur një rritje prej 7.3 për qind, shpenzimet arritën në vlerat e 2 miliardë e 90 milionëve. Ishin të planifikuara 2 miliardë e 373 milionë, që nënkupton që kemi një nënshpenzim të shpenzimeve të planifikuara ose kthyer në përqindje shpenzimet u ekzekutuan në vlerat prej 88.1 për qind në ato që ishin të planifikuara në buxhetin e vitit 2019 dhe ato të ekzekutuara…Sa i përket borxhit publik, Kosova ka një borxh ende të ulët krahasuar me të gjitha vendet e rajonit. Krahasuar me vitin e kaluar kemi një rritje shumë modeste ku e kishin 16.9 për qind, rreth 17 për qind këtë vit, në vitin 2019 ka arritur në 17.5 për qind, do të thotë një ngritje shumë e vogël, shumë modeste që është një sukses shumë i madh që Kosova ende ka borxhin publik të ulët”, tha ai.
Rafuna tha se borxhi i brendshëm është 791 milionë apo 11 për qind, ndërsa borxhi i jashtëm është 452 milionë apo 6.4 për qind.
Sa i përket deficitit buxhetor, Rafuna tha se suksesi më i madh dhe që ka treguar një disiplinë shumë të madhe buxhetore ka qenë se kanë qëndruar brenda rregullave fiskale të cilat janë të parapara me ligj, ku shtoi se deficiti buxhetor është vetëm 0.7 për qind i ulët dhe që është më i ulëti që ka ndodhur në vitet e fundit. Ai po ashtu, tha se bilanci bankar mbetet në nivele adekuate.
I pyetur rreth ankesave të bizneseve se po humbin shumë nga kostoja e firos, ministri në detyrë tha se kjo çështje ka qenë e rregulluar ne ligjin e tatimit mbi vlerën e shtuar, por që tha se me dorëheqjen e qeverisë ky ligj është kthyer në pikën zero. Ai u shpreh i bindur se edhe qeveria e re do ta trajtojë këtë çështje.
“Çështja e firos ka qenë e rregulluar në ligjin e tatimit së vlerës së shtuar, ku kemi punuar shumë ngushtë edhe sipas rekomandimeve dhe kërkesave të biznesit janë inkorporuar në ligjin dhe së bashku me ta e kemi draftuar në ligjin e tatimit të vlerës së shtuar. Fatkeqësisht ligji nuk arriti që ta kalojë leximin e dytë dhe tani është kthyer në pikën zero, mirëpo unë jam shumë pozitiv që edhe qeveria e re që do të vije prapë do ta ketë parasysh këtë kërkesë, nuk do ta eliminojë prej ligjit”, tha ai.
Rafuna që është emëruar së fundi në detyrën e ministrit të Financave tha se do të jetë në këtë pozitë derisa të emërohet ministri i ri dhe se do t’i kryej të gjitha obligimet ligjore që i ka si ministër i Financave.