A do të arrijë Kosova të ketë 500 megavatë energji të rinovueshme brenda 3 vjetësh?

Turbinat me erë

Objektivat mjaft ambicioze të parapara në Draft-Strategjinë Energjetike 2022-2031, për të pasur sasi të madhe të energjisë së rinovueshme brenda 3 vjetësh dhe deri më 2031, janë një sihariq i këndshëm te opinioni kosovar dhe imponohen tek njohësit e zhvillimeve energjetike, të cilët përkrahin këto synime, por edhe shpërfaqin skepsën e tyre dhe i bëjnë të diskutueshme afatet e përcaktuara në Strategji dhe realizimin e tyre brenda këtyre afateve.

Mehmet GJATA

Strategjia energjetike e Kosovës 2022-2031, gjithsesi, ka qëllim të mirë dhe është e përshkruar me një dozë të optimizmit goxha utopist sa i përket objektivave strategjike të sigurimit të energjisë elektrike për nevojat e shtuara të Kosovës, e sidomos të sigurimit të kuotave të caktuara ambicioze të energjisë së rinovueshme.

Reklama e sponzorizuar

Në Strategjinë energjetike, primare dhe objektiv strategjik mbetet dekarbonizimi dhe promovimi i energjisë së ripërtëritshme. Këtë e ka potencuar edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli me rastin e hapjes së Konsultimeve Publike për Strategjinë e Energjisë 2022-2031.

Sipas Strategjisë, por edhe ministres Rizvanolli, Kosova në tri vjetët e ardhshme do të arrijë të ketë kapacitete deri në 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore.

“Për herë të parë, strategjia jonë e energjisë parasheh targete tejet ambicioze për sa i përket shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Gjatë tri vjetëve të ardhshme, do të arrihet që Kosova të ketë kapacitete prodhuese prej 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme. Kjo do të bëhet duke shtuar kapacitetet e energjisë diellore, që do të thotë se në vitin 2025 do të kemi dy herë më shumë të kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, krahasuar me ato që i kemi pasur gjatë vitit 2021”, ka thënë ministrja Rizvanolli.

Sipas saj, deri në vitin 2031 do të arrijnë 1.400 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme, duke ndërtuar kapacitetet e reja të erës dhe diellore, ose në përqindje së paku 35 për qind e konsumit të energjisë elektrike do të gjenerohet nga burimet e ripërtëritshme.

Ministrja Artane Rizvanolli ka shpalosur këtyre ditëve edhe vizione të tjera për të pasur sa më shumë dhe sa më shpejtë energji të ripërtëritshme Kosova, të elaboruara nga institucionet kompetente vendimmarrëse kosovare dhe nga analiza teknike nga një grup i ekspertëve të pavarur.

Ndër të tjera, ajo ka sqaruar se integrimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë në rrjet, do të mundësohet falë baterive në kapacitet prej së paku 170 megavatë, ose duke krjuar 340 megavatë orë rezervë të energjisë elektrike. S’do mend se këto objektiva mjaft ambicioze, janë një sihariq i këndshëm te opinioni kosovar dhe imponohen tek njohësit e zhvillimeve energjetike, të cilët përkrahin këto synime, por edhe shpërfaqin skepsën e tyre dhe i bëjnë të diskutueshme afatet e përcaktuara në Strategji dhe realizimin e tyre brenda këtyre afateve.

Jo më kot njohësit e zhvillimeve energjetike shtrojnë dilemat se a janë reale dhe të të realizueshme objektivat strategjike sipas draft – strategjisë energjetike të Kosovës 2022-2031, objektiva këto që përqendrohen kryesisht te dekarbonizimi dhe promovimi i energjisë së ripërtëritshme ?

Dhe, më konkretisht, a mundet Kosova të arrijë të ketë kapacitete deri në 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore, siç parashihet në draft-strategjinë energjetike, ose a mundet Kosova të ketë në vitin 2025 dy herë më shumë të kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, krahasuar me ato që i ka pasur gjatë vitit 2021. Në kontekst të parashikimeve të objektivave të Stategjisë, cilat janë mundësitë (qoftë financiare, qoftë të burimeve të energjisë së rinovueshme), që deri në vitin 2031 Kosova të arrijë 1.400 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme, duke ndërtuar kapacitetet e reja të erës dhe diellore?

Një ekspert me përvojë shumëvjeçare në KEK, duke kërkuar anonimitet, thotë për Buletinin Ekonomik, se nuk e ka të qartë fare se si do të arrihet brenda 3 vjetësh që Kosova të ketë 500 megavatë energji të ripërtritshme, kur dihet se asnjë projekt i ri i energjisë së pastër nuk është tërësisht i gatshëm për të filluar me punët e ndërtimit, ndërkohë që as që dihet se si do të financohen kapacitetet e reja të energjisë së ripërtëritshme dhe si dhe nga do t’i sigurojë Kosova e varfër gjithë ato para, të domosdoshme për të ngritur kapacitetet e reja të energjisë së rinovueshme.

Sipas tij, 3 vjet është një afat fare i shkurtër, dhe ky afat vie sa çel e mbyllë sytë, ndërkohë që Kosova nuk është duke ndërtuar asnjë kapacitet të ri, qoftë me panele solare, qoftë të prodhimit të energjisë në bazë të erës. Madje, as që është në fazën e nisjes së ndërtimit të ndonjë kapaciteti të këtillë.

Mbështetur në ecurinë e ndërtimeve të deritashme të objekteve industriale në vend, një kapacitet energjetik në bazë të erës, ta zëmë, edhe po të fillohej sot, që tani, të ndërtohej, vështirë se do të finalizohej brenda 3 vjetësh.

Të rezonojmë se centralet në bazë të diellit do të ndërtoheshin paksa më shpejtë dhe do të kushtonin goxha më lirë. Megjithatë, bërja e projekteve të nevojshme paraprake dhe i fizibilitetit për akcilin kapacitetet të energjisë së rinovueshme duan kohë, e mos të flasim për realizimin deri në finalizim të këtyre projekteve, që jo rrallë nga prolongimet e parreshtura të afateve jo në pak raste kemi qenë pafundësisht të dëshpëruar.

Ndërkohë, që nga bërja publike e synimeve të Strategjisë energjetike të Kosovës 2022-2031, thuaja asnjë aktivitet institucional rreth realizimit të ndonjë projekti që do të prodhonte energjinë elektrike të rinovueshme të paraparë si objektiv (500 megavatë brenda tre vjetësh energji të ripërteritshme), nuk është ndërmarrë. Së paku, nuk është bërë publike asnjë punë konkrete rreth nisjes së sendërtimit të objektivave për të pasur 500 megavatë brenda 3 vjetësh. Tash për tash ka vetëm vizione dhe premtime të objektivave paksa më të saktësuara.

Ç’është e vërteta, pos projektit të paralajmëruar para dy-tre muajsh me emërtimin “Solar4Kosova”, që nuk është i detajuar tërësisht, nëse do të llogaritet si kapacitet-pjesë e Strategjisë energjetike 2022-2031, për përmbushjen e synimeve strategjike për energji solare dhe bërjes publike disa muaj më parë nga drejtori ekzekutiv i KEK-ut, se KEK planifikon të ndërtojë 100 megavatë kapacitete solare në sipërfaqen e deponisë së djerrinës të termocentralit Kosova A, akoma nuk është dëgjuar për ndonjë projekt më konkret të ri, të detajuar dhe me parashikime të sakta të fuqisë instaluese dhe të kostos së realizimit të tij, qoftë të energjisë solare qoftë të asaj në bazë të erës.

Prandaj, tashmë, pas shpalljes së synimeve dhe objektivave të draft-strategjisë energjetike 2022-2031 për dekarbonizimin e Kosovës dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme, dhe pas deklaratave entuziaste të zyrtarëve dhe vendimmarrësve se tashmë po krijohet “rruga e re energjetike”, e promovuar disa herë tashmë edhe nga ministrja Rizvanolli, “nëpër të cilën Kosova do të ecte për ta bërë sistemin energjetik më të pastër, më të besueshëm e më të decentralizuar”, objektivat e vijëzuara në draft-Strategjinë energjetike nuk duhet mbetur vetëm numra, as premtime utopike dhe të parealizueshme, siç kanë mbetur deri më tash në këto 23 vjet një vistër projektesh energjetike.

Mospërmbushja e premtimeve të draft-strategjisë do të thotë vazhdim i mungesës së energjisë elektrike, prolongim i mbajtjes së gjendjes krizë në sistemin elektroenergjetik të vendit dhe domosdo, shpenzim të madh parash publike për të importuar energji të shtrenjtë elektrike. Kjo është llogaria e thjeshtë. Prandaj, duhet domosdo të përmbushen synimet dhe premtimet zyrtare për energjinë. Nuk ka, praktikisht, alternativë tjetër.

Duhet shpejtuar, dhe me urgjencë duhet shkurtuar procedurat e stërzgjatura të kërkuara deri më tash për të nisur kapacitetet e reja elektroenergjetike alternative, qoftë solare, apo në bazë të erës. Dhe, sipas ekspertëve, sado që Kosova, nuk i ka kushtet ndër më të mirat për të pasur kapacitete efektive dhe potente të energjisë së rinovueshme, ka goxha kondita dhe mundësi reale për të pasur jo pak panele të diellit dhe parqe të energjisë me erë për të prodhuar sasi të çmueshme të rrymës për nevojat e veta.

Buletini Ekonomik disa herë ka bërë publike rekomandimet e ekspertëve se “në të gjitha sipërfaqet e kulmeve te objekteve komerciale, komunale dhe private te cilat kanë orientimin e duhur lindje-perëndim, apo janë të rrafshta, mund të instalohen panele solare. Kosova ka edhe shumë toka të pashfrytëzueshme që do të mund të shfrytëzoheshin për këtë qëllim, siç janë hapësirat e shumta dhe me sipërfaqe të mëdha brenda kompleksit të KEK-ut. Ka shumë hapësirë të lirë në mihjet sipërfaqësore të eksploatura, si dhe hapësirat përgjatë autostradave, të cilat lehtësisht do të ishin mundësi reale për instalimin e paneleve solare, nga dielli, pra energji solare.

Po kështu, jo pak herë Buletini Ekonomik, ka apostrofuar se “pak më shumë mundësi për energji të rinovueshme kemi te ndërtimi i turbinave me erë”. Tashmë janë ndërtuar dy kapacitete që ia vlen të përmenden-ai i Shalës së Bajgorës me 27 turbina dhe me kapacitet gjithsej 105 megavat-orë dhe Kitka në rajonin e Gjilanit me kapacitet diku 36 MW.

Pas analizave dhe matjeve të shumta vlerësohet se pos dy kapaciteteve të energjisë me erë, parqe të energjisë me erë mund të ndërtohen edhe në Çyçavicë, në Zatriq, në Budakovë dhe në Kozhicë, vende këto të identifikuara për mundësitë për të ndërtuar parqe të reja të energjisë së erës. Vlerësohet se deri tash në të gjitha këto vende të identifikuara për mundësi ndërtimi të turbinave me erë dhe të vendeve të paidentifikuara saktësisht, por që japin sinjale të bollshme dhe bindëse për mundësinë e instalimit të turbinave me erë, mund të arrihen diku rreth një mijë megavatë energji elektrika nga era. Por, në rrjet duhet të llogaritet gjysma e më pak e këtyre megavatëve, pasi që te ne këto kapacitete për shkak të mungesës së erërave dhe të natyrës së fryrjes së erës, nuk mund të prodhojnë me fuqinë e instaluar.

Kjo është gjendja aktuale sa i përket kapaciteteve prodhuese dhe potencialeve për të prodhuar më shumë energji të rinovueshme. Arritja e synimeve dhe përmbushja e premtimeve zyrtare, dihet, nuk është pa sfida, vështirësi reale, por edhe pa probleme të tjera që shpesh herë dijmë t’i krijojmë vetëvetes, por nuk ka tjetër rrugë. Kosova duhet të ketë energji elektrike, të cilën duhet të dijnë ta sigurojnë ata që e kanë obligim këtë punë. S’ka më kohë për të humbur. Kosova ka nevojë për energji elektrike, por ka edhe mundësi dhe resurse të natyrës për ta pasur këtë energji. Dhe këto resurse duhet të valorizohen një orë e më parë. /Buletini Ekonomik/