Pavarësisht asaj se e quajmë veten si një popull bujar dhe human, një gjë e tillë nuk po del të jetë edhe aq e vërtetë sipas disa të dhënave të publikuara nga Indeksi Botëror i CAF për 2019-n.
Sipas këtij publikimi vetëm 23 për qind e shqiptarëve janë bujar dhe të sjellshëm, shkruan Gazeta inFokus.
Ky raport thotë se shqiptarët janë ndër më “dorështrënguarit” në Evropë.
Më mirë në rajon renditet Kosova, si e 62-a , e cila ndiqet më pas nga Bosnje dhe Hercegovina me vendin e 91, Mali i Zi i 119-ti, kurse Serbia e 123-a.
Maqedonia renditet këtë vit e 96-ta, duke tejkaluar edhe vendin tonë dhe duke ngjitur plot 34 shkallë nga një vit më parë që renditej e 130-a.
Indeksi Global i të Dhënit 2019, i publikuar nga Instituti CAF (Charity Aid Foundation) është etiketuar si studimi kryesues për sa i përket bujarisë. Indeksi rendit 140 shtete në trI kategori: të ndihmuarit e të huajve, dhurimi i parave dhe koha e punës vullnetare.
Sipas specifikimeve, 35 % e shqiptarëve nuk hezitojnë që të ndihmojnë një të huaj kur i kërkon ndihmë, duke u renditur të 95-tët në botë. Nga ana tjetër, 21 % e shqiptarëve kanë dhuruar para vitin e shkuar, duke u renditur kështu të 75-tët në botë.
Ndërsa, sa i përket dhurimit të kohës për vullnetarizëm, një studim ky që nuk përbën pikën tonë më të fortë, vetëm 9 % e shqiptarëve kanë dhuruar kohën e tyre për bamirësi ose ndonjë kauzë të ngjashme, duke u konsideruar kështu të 107-ët në botë për këtë indikatorë.
Cilat janë vendet më bujare sipas Indeksit 2019?
SHBA-ja kryeson Indeksin Botëror të CAF-it për herë të parë. Ajo ndiqet nga Myanmar, i cili ka qenë katër vjet me radhë në numrin një në Indeks; e treta Zelanda e Re, më pas Australia dhe Irlanda.
Në mënyrë të konsiderueshme më shumë njerëz në të gjithë globin raportuan se ndihmonin një të huaj dhe dhuronin kohë vullnetare, ndërkohë që proporcioni i cili dhuronte para ka rënë për të tretin vit radhazi. Proporcioni i njerëzve në mbarë botën që dhuroi para në vitin 2019, është ende në nivelin më të ulët që nga viti 2014. Dhurimi i parasë është rritur nga vendet e zhvilluara (nga 40% në 42%), por ka rënë në mesin e vendeve në zhvillim (nga 25% në 24%). /Monitor.al/