Edhe po të realizoheshin saktësisht parashikimet për rritjen ekonomike të Kosovës, qoftë të BERZH-it, qoftë edhe të BB-së, realisht nuk paraqesin kushedi se çfarë rritjeje domethënëse ekonomike të Kosovës së varfër, me një armatë të tërë të papunësh, me brutoproduktin më të ulët vendor në rajon, me investime të reduktuara dhe me deficitit kolosal tregtar, edhe krahasuar me shtetet e rajonit veç e veç. Për të pasur ndonjë rritje ekonomike të prekshme, të efektshme dhe rezultative ekonomike në Kosovë, duhet përqindje shumë më e lartë se kjo.
Mehmet GJATA
Projeksionet e zhvillimit ekonomik në shumë vende të botës, pas krizave ekonomike të shkaktuara nga ngritja e madhe e çmimeve të energjisë (të të gjitha llojeve) dhe agresionit rus ndaj Ukrainës, sivjet janë më optimiste. Madje, rritja ekonomike e Eurozonës ka të ngjarë të jetë më e lartë se sa pritej, ndërsa inflacioni do të jetë më i ulët se sa parashikimet e vitit 2022.
Sipas raportimeve të medieve ndërkombëtare, rritja ekonomike në 20 vendet që përdorin euron parashikohet të jetë 0.9% këtë vit, në vend të 0.3% të parashikuar nëntorin e kaluar. Inflacioni i konsumatorit në Eurozonë, i cili arriti nivelet rekord prej 10.6% tetorin e vitit të kaluar, si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës, do të ngadalësohet në 5.6% këtë vit dhe në 2.5% në 2024. Ky do të ishte një ngadalësim më i madh se 6.1%, shifër e pritur më parë për 2023 dhe 2.6% për 2024.
Ndërsa, parashikimet për rritjën ekonomike të Kosovës nuk dalin të jenë edhe aq optimiste. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike të Kosovës gjatë 2023-tës (BERZH-i, ç’është e vërteta, ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike të shumicës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë).
Në raportin e fundit të BERZH-it për rritjen ekonomike në vendet e rajonit, thuhet se ekonomia e Kosovës më 2023 pritet të ketë rritje ekonomike 3%, nga 3.2% sa ishte rritja ekonomike në fund të vitit 2022. Ndërsa, nga janari deri në shtator të vitit të kaluar, BERZH kishte vlerësuar se Kosova kishte pasur një rritje ekonomike prej 2.8%, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndërkohë, në fillim të këtij viti, në raportin e Bankës Botërore për ekonominë globale, të publikuar në ditët e para të janarit, Kosova parashihej të ketë në përqindje rritjen më të madhe ekonomike në rajon në vitin 2023. Sipas Bankës Botërore, pra, pas Kosovës ku gjatë vitit 2023 rritja ekonomike parashihej të jetë 3.7%, në Ballkanin Perëndimor renditën Mali i Zi me 3.4% si i dyti, e treta Bosnja me 2.5%, pasuar nga Maqedonia e Veriut me 2.4%, Serbia me 2.3%, Shqipëria me 2.2% dhe Kroacia me 0.8%.
Sidoqoftë, shifrat për rritjen ekonomike të Kosovës në këtë vit, të bëra publike nga këto institucione financiare prestigjioze ndërkombëtare, qoftë ato të BB-së, ku Kosova parashihej të ketë në përqindje rritjen më të madhe ekonomike në rajon në vitin 2023, qoftë parashikimi me përqindje paksa të ulur të rritjes ekonomike të BERZH-it, kur kihen parasysh të gjitha rrethanat ekonomike-sociale të vendit tonë, duhet sheshuar gjithanshëm dhe me vëmendje. Sepse, edhe po të realizoheshin saktësisht parashikimet, qoftë të BERZH-it, qoftë edhe të BB-së, realisht nuk paraqesin kushedi se çfarë rritjeje domethënëse ekonomike të Kosovës së varfër, me një armatë të tërë të papunësh, me brutoproduktin më të ulët vendor në rajon, me investime të reduktuara dhe me deficitit kolosal tregtar, edhe krahasuar me shtetet e rajonit veç e veç. Për të pasur ndonjë rritje ekonomike të prekshme, të efektshme dhe rezultative ekonomike në Kosovë, duhet përqindje shumë më e lartë se kjo. Sepse, Kosova ka vijuar të jetë ndër të fundit në Europë për të ardhurat për frymë edhe në vitin 2021 dhe me 2022 dhe me fuqinë më të ulët blerëse, duke zgjatur kështu rekordin negativ të mirëqenies së banorëve të saj, në krahasim jo vetëm me vendet e Bashkimit Europian, por edhe shtetet e tjera të rajonit.
Kosova në rrethanat aktuale shoqërore dhe ekonomike dhe në përqindje të përafërta të parashikimit të institucioneve monetare ndërkombëtare për rritjën e sivjetshme ekonomike, jo vetëm që nuk arriti ta zbus varfërinë, por ç’është më keq, do vazhdojë ta thellojë atë. Në këtë mënyrë, Kosova vazhdon të jetë sot e kësaj dite e skamur. Është më e varfëra në rajon dhe me gjendje seriozisht të rënduar sociale. Vetëm Shqipëria, ndoshta është shumë pranë, për nga varfëria. Më konkretisht, edhe sipas të dhënave për renditjën e shteteve të botës nga i pasuri tek më i varfëri për 2022-ën, të publikuara në prill të këtij viti, Kosova del të jetë shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori.
Sipas Agjencisë së Statistikave (ASK), papunësia në Kosovë është mbi 25 për qind. Të dhënat e fundit të ASK-së për tregun e punës tregojnë se nga mbi një milion qytetarë në moshë pune në Kosovë, mbi 350 mijë janë të punësuar, ndërsa mbi 120 mijë janë të papunë. Gjithnjë sipas ASK-së, rreth 750 mijë qytetarë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.
Për varfërinë reale të Kosovës flasin edhe këto fakte: Të dhënat më të fundit nga ASK-ja rreth statistikave të mirëqenies sociale në Kosovë, tregojnë se vetëm deri në fund të muajit qershor të këtij viti, kanë qenë të regjistruara gjithsej 25 mijë e 444 familje në skemën e ndihmës sociale (raste sociale, pra), me gjithsej 100 mijë e 395 anëtarë.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18 për qind e popullatës në Kosovë jeton në varfëri, me më pak se 2 euro në ditë ndërsa 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.
Ndryshe, të dhënat më të fundit nga ASK-ja rreth statistikave të mirëqenies sociale në Kosovë, tregojnë se vetëm deri në fund të muajit qershor të 2022 – tës, kanë qenë të regjistruara gjithsej 25 mijë e 444 familje në skemën e ndihmës sociale, me gjithsej 100 mijë e 395 anëtarë. Çmimet e të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore (mielli, buka, vaji, sheqeri, vezët etj), përditë shënojnë ngritje enorme të reja. Inflacioni në fund të vitit 2022 ka arritur diku afër 12 për qind.
Në këtë mënyrë, sot sigurimi minimal i ekzistencës për shkak të çmimeve enorme të shportës familjare dhe për shkak të pagave të ulëta, sidomos në sektorin privat, janë bërë sfidë e papërballueshme për shumë famije anekënd vendit, dhe kjo bënë që një nunër i madh i qytetarëve të vendit të përballën me varfëri të skajshme. Përkundër këtyre fakteve që flasin për varfërinë e madhe në Kosovë, çmimet e të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore (mielli, buka, vaji, vezët, sheqeri etj), siç u tha më lartë, për ditë shënojnë ngritje të reja.
Kosova tashmë garon goxha fortë me shtetetet e fuqishme financiare sa i përket çmimeve dhe ato, janë të përafërta, madje edhe përtej çmimeve të shteteve të fuqishme të botës.
Raporti i Bankës Botërore për ‘Perspektivat Ekonomike Globale’ thotë se në përgjithësi rritja globale po ngadalësohet ndjeshëm përballë inflacionit të ngritur, normave më të larta të interesit, uljes së investimeve dhe ndërprerjeve të furnizimeve të shkaktuara nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Po sipas të dhënave të Bankës Botërore, Bruto Produkti Vendor i Kosovës vazhdon të jetë më i ulëti në rajon.
Sipas këtyre të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2021, Kosova BPV-në për kokë banori e kishte 5 mijë e 269 dollarë; Shqipëria e kishte 6 mijë e 492 dollarë; Mali i Zi 9 mijë e 465 dollarë; Bosnja e Hercegovina 7 mijë e 143 dollarë; Serbia 9 mijë e 230 dollarë dhe Maqedonia e Veriut 6 mijë e 694 dollarë.
Prandaj, parashikimet e institucioneve monetare, qofshin edhe qind për qind realiste nuk duhet pritur dhe as të mendohet se do të ndikojë në përmirësimin e imazhit ekonomik të Kosovës. Sipas ekspertëve, Kosovës i nevojitet nivel shumë më i lartë i rritjës ekonomike.
Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, kohë më parë kishte thënë për medien e vendit se duhet punuar edhe më shumë për rritje edhe më të lartë ekonomike, sado që Banka Botërore parashikon për Kosovën rritjen ekonomike më të madhe në rajon.
“Nuk duhet ne me u vetëkënaqur me këtë parashikim. Duhet të punojnë më shumë të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë edhe Odën Ekonomike, në mënyrë që të bëjmë reforma më shumë, që të kemi një rritje shumë më të madhe ekonomike se kjo që është e parashikuar. Duhet të ketë plane më të qarta investive. Duhet bërë reforma te politikat fiskale, për të parë se cilat tatime duhet të ulen apo edhe lirohen krejt. Pastaj, thjeshtësimi i procedurave burokratike që po pengojnë investimet e huaja në Kosovë”, tha Rafuna me këtë rast.
Nuk duhet harruar as faktin se Kosova në këtë vit do të vazhdojë të përballet me mungesë punëtorësh të profesioneve të ndryshme më se të nevojshme për rritjën ekonomike dhe të shërbimeve si pasojë e braktisjes së vendit nga shumë kosovarë, të cilët ikin në Perëndim kryesisht në kërkim të punës së paguar më shumë dhe të mirëqenies më të mirë. Mungesa e fuqisë punëtore, dobësimi i zinxhirit të furnizimit dhe mungesa e një stabiliteti politik, sipas ekonomistëve janë sfidat që do ta përcjellin ekonomin kosovare gjatë këtij viti. Sipas tyre, brenga më e madhe që ka shoqëria kosovare mbetet ikja e të rinjve nga vendi. Dhe ç’është më keq, ata parashohin përkeqësim akoma më shumë të gjendjes nëse vazhdon ky trend i ikjes së krahëve të punës dhe në bazë të rrethanave aktuale ka shumë gjasë të vazhdojë pasi që të rinjtë nuk e shohin perspektivën në konditat aktuale ekonomike e të mirëqenies.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kishte vënë në dukje se vendi është duke u ballafaquar me sfida të shumta, por sipas tij, ndërsa ka apostrofuar “mungesën e stabilitetit politik si faktor që është duke e ngulfatur më së tepërmi zhvillimin”.
Ndërsa, raporti i Bankës Botërore për ‘Perspektivat Ekonomike Globale’ thotë se në përgjithësi rritja globale po ngadalësohet ndjeshëm përballë inflacionit të ngritur, normave më të larta të interesit, uljes së investimeve dhe ndërprerjeve të shkaktuara nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Të gjithë këta faktorë të akceptuara nga BB për ndikim në rritjen globale ekonomike janë prezentë aktualisht edhe në zhvillimet ekonomike të Kosovës dhe me gjasë të mëdha kanë për të qenë prezentë edhe në këtë vit. Vazhdimi i reformës në mjedisin e të bërit biznes, i cili do të mundësonte fuqizimin e sektorit privat dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte, duhet të jetë prioritet i Qeverisë së Kosovës, thuhej në një komunikatë të mëherëshsme të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, nëpërmes së cilës ky asociacion kërkonte përmirësimin e sundimit të rendit e të ligjit, adresimin e boshllëkut të infrastrukturës transportuese dhe energjetike, si dhe boshllëkut të fuqisë punëtore që të jenë në thelb të kësaj reforme.
Ndërsa krijimi i një strategjie nacionale të zhvillimit ekonomik, duhet të jetë pikënisja e kësaj reforme, ashtu si edhe e të gjitha vendimeve në kuadër të qeverisjes ekonomike të Kosovës mendonin në OAEK. Edhe pse këto vizione të OAEK ka kohë që janë proklamuar edhe publikisht, duket që duhet të vlejnë edhe më tutje për ekonominë akoma të brishtë të Kosovës.
Parashikimi i rritjës ekonomike në përqindje e parashikuara nga institucionet monetare ndërkombëtare, nuk është e mjaftueshme për prosperitetin e Republikës. Rritja ekonomike në këtë përqindje nuk do të gjenerojë vende të reja të punës, nuk do të lartësojë fare mirëqenien e kosovarëve, nuk do të ulë migrimet e frikëshme dhe me pak gjasë do të rritë investimet e jashtëme. Njoftimi se “Kosova së shpejti do të ketë legjislacion të ri për lehtësimin dhe nxitjën e invsetimeve”, që doli nga një debat i organizuar këto ditë nga Oda Ekonomike Amerikane me ministrën Rozeta Hajdari, lidhur me Projektligjin për Investimet e Qëndrueshme por edhe nismat e tjera ligjore dhe strategjike të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, është goxha premtues e shpresëdhënës.
Ministrja Hajdari me këtë rast tha që “krahas zhvillimit të akteve të reja ligjore që do të rregullonin çështjen e investimeve të brendshme dhe të jashtme, Ministria është angazhuar edhe në zhvillimin e strategjisë industriale, duke e parë këtë si shumë të rëndësishme për orientimin e zhvillimit të industrive të ndryshme në vend, meqë kjo ka munguar deri më tani në vend”. Ajo para bizneseve të pranishme njoftoi për risitë e legjislacionit që synon promovimin e investimeve me theks në lehtësimin e nxitjes së investimeve dhe krijimin e një mjedisi të barabartë për investitorët e jashtëm dhe të brendshëm. Sipas saj, synohet ndarja e agjencisë aktuale në një agjenci e cila do të vazhdojë të përkrahë ndërmarrjet, si dhe në agjencinë e re për lehtësimin dhe nxitjen e investimeve që do të vendoset në kuadër të zyrës së Kryeministrit.
Këto premtime të kumtuara në këtë debat nga ministrja Hajdari, duhet realizuar një orë e më parë. Duhet edhe shumë më shumë përpjekje për të krijuar kushte të favorshme për tërheqjen e investimeve të huaja, sikundër që duhet më shumë angazhim për të gjeneruar vende të reja të punës, për mirëqenien e kosovarëve dhe për të ulë migrimet e frikëshme. Ndryshe, përqindjet e parashikuara të rritjës ekonomike nga institucionet financiare ndërkombetare paraqesin vetëm ca shifra, pa ndonjë domethënie të madhe për prosperitetin ekonomik të Kosovës. /Buletini Ekonomik/