Sindikata e Telekomit: Vendimin për paga e morëm përmes emailit

Posta dhe Telekomi i Kosovës

Sindikata e Telekomit të Kosovës kanë reaguar pas vendimit për zvogëlim të pagave në këtë institucion, për shkak të krizës financiare në të cilën është duke kaluar kompania publike, shkruan Gazeta Express.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Lamih Balaj, kryetar i federatës sindikale të PTK-së, ka deklaruar se nuk janë lajmëruar paraprakisht nga bordi për këtë vendim, derisa, të njëjtin e kanë marrë vesh vetëm përmes një emaili që iu është nisur të gjithë punëtorëve.

“Po është e vërtetë që sikurse unë edhe punëtorët tjerë kanë pranuar një email për të cilin nuk mundem të jap shumë sqarime pasi që në si sindikatë nuk jemi informuar, as nuk jemi takuar me bordin se as nuk kemi qenë në dije. Ne edhe në të kaluarën kemi thënë dhe qëndrojmë fuqishëm se mirëqenia e punëtorëve nuk bën të preket”, thotë Balaj.

Reklama e sponzorizuar

I njëjti ka sqaruar se të hënën do të takohen me kryesinë e sindikatës dhe do të dalin me qëndrim për këtë temë.

Ndryshe, sot punëtorët e Telekomit janë njoftuar me vendimin e bordit të kësaj kompanie për uljen e koeficientit të pagave.

Kompania publike Telekom ka një kohë të gjatë që është duke kaluar nëpër një krizë financiare. Madje, shkaku i larjes së disa borxheve, kompania muajve të fundit kishte filluar që t’ua vononte pagat punëtorëve.

Kështu, në Telekom është marrë vendim që për të gjithë punëtorët të zvogëlohen pagat duke filluar nga 1 janari i këtij viti.

Në mesazhin që ka siguruar Express e që iu është nisur punëtorëve shkruhet se bazuar në gjendjen financiare të koorporatës, janë detyryar që të bëjnë shkurtime buxhetore, ku edhe kanë miratuar rregulloren për caktimin e koeficientit të pagave.

Kontratat e punës, tutje shkruhet se mbesin të njejta.