Auditori: Llogaritja e tarifave të shërbimeve publike të bëhet sipas harxhimeve reale

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që llogaritja e tarifave të rrymës, ngrohjes dhe të ujësjellësit të bëhen sipas harxhimeve reale, saktë dhe drejtë. Në raportin “Sistemi i përcaktimit të tarifave të energjisë elektrike, termike dhe atyre të ujësjellësit” , për të cilin është mbajtur një tryezë diskutimi të marten, thuhet se mangësitë po vazhdojnë të ndikojnë në saktësinë e tarifave të energjisë elektrike, ngrohjes dhe atyre të ujësjellësit, me gjithë progresin e arritur nga rregullatorët.

Ky raport auditimi, për të cilin “Koha Ditore” ka raportuar muajin e kaluar, ka nxjerrë në pah parregullësi në llogaritje të tarifave që u ngarkohen qytetarëve dhe ka bërë rekomandime për Zyren e Rregullatorit të Energjisë dhe Autoritetin Rregullativ për Shërbime të Ujit.

Në raport shkruan se “përkundër progresit të arritur nga rregullatorët në procesin e përcaktimit të tarifave, auditimi ka konkluduar se ka disa mangësi që ndikojnë në saktësinë e tarifave të aprovuara dhe rrezikojnë që tarifat të mos jenë drejtë të përcaktuara”.

Reklama e sponzorizuar

Ndihmësauditorja e përgjithshme, Vlora Spanca ka thënë gjatë prezantimit se rregullatorët kanë arritur rezultate të mira në dizajnimin e procesit të metodologjisë, të përshtatshme për përcaktimin e tarifave, duke u bazuar në rregulloret dhe procedurat sipas të cilave përcaktohen, shqyrtohen dhe zbatohen tarifat për shërbime publike.

Ajo megjithatë ka shtuar se përkundër përpjekjeve për zbatimin e mirë të metodologjisë për përcaktim tarifash, sistemi ekzistues nuk ka siguruar se tarifat janë caktuar siç duhet.

Raporti i auditimit përfshin një vlerësim të çështjeve relevante për periudhën 2016 – 2018. Sipas raportit, ZRRE-ja dhe ARRU-ja si institucione rregullatore kanë zhvilluar një metodologji mjaft komplekse dhe aplikojnë një sistem të dizajnuar mirë për përcaktimin e tarifave. Megjithëkëtë thuhet se metotologjia për përcaktimin e tarifave nuk është zbatuar siç duhet. “Pavarësisht proceseve dhe dizajnit të mirë, kemi vërejtur se metodologjia për përcaktimin e tarifave nuk është zbatuar siç duhet. Gjatë shqyrtimeve tarifore jo të gjithë faktorët janë marrë parasysh dhe për pasojë mund të jenë ngarkuar konsumatorët e rregullt të cilët kanë paguar tarifë më të lartë se konsumi i tyre”, thuhet në raport.