Banka e Shqipërisë nis hetimin për subjektet e mikrofinancës, lajmërohen masa

Banka e Shqipërisë pohoi se ka në hetim disa subjekte të reja të mikrofinancës në vend, sidomos në drejtim të normave jo transparente të interesit. Banka e Shqipërisë argumentoi për “Monitor”, se “në përfundim të analizave dhe vlerësimeve tona në nivel tregu dhe subjektesh dhe jo domosdoshmërisht të izoluara dhe të lidhura me një  subjekt të caktuar, do të aplikojmë masat që do t’i gjykojmë të përshtatshme”

A keni një vlerësim për sektorin e mikrofinancës këtë vit në drejtim të zgjerimit të tregut dhe shërbimeve?

Mikrokreditë ofrohen nga disa subjekte të licencuara, si institucionet e mikrokredisë, subjekte financiare jobanka të licencuara për kredidhënie, por që ofrojnë edhe portofol mikrokredie, si edhe shoqëritë e kursim-kreditit. Në gjashtëmujorin e dytë të 2019-s, totali i aktiveve të institucioneve financiare jo banka përbënte 3.6% të totalit të aktiveve të sistemit bankar, ndërsa portofoli i kredidhënies përbën 5.9% të portofolit të kredisë së sistemit bankar.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave për vitin 2019, nga subjektet financiare jobanka të licencuara nga Banka e Shqipërisë, 5 prej tyre janë licencuar për aktivitetin e mikrokredisë dhe 8 për kredidhënie. Gjatë vitit 2019 (deri në shtator), tregu i mikrofinancës ka njohur një rritje të shpejtë (rreth 25%) si në terma të portofolit të kredisë, ashtu edhe të numrit të klientëve.

Shoqëritë e përmbarimit i pohuan revistës “Monitor” se tani një valë e madhe dosjesh me NPL po vjen nga “Kredo” dhe “IuteCredit”. Sipas të dhënave më të fundit, sa është NPL-ja në këto kompani?

Gjatë viteve të fundit, treguesit e cilësisë së kredidhënies, duke përfshirë mikrokredinë për subjektet financiare jobanka, kanë pasur një ecuri të ngjashme me atë të sistemit bankar. Treguesi i kredive me probleme për veprimtarinë e kredidhënies dhe mikrokredisë në gjashtëmujorin e dytë të 2019-s përllogaritet rreth 8.5 për qind. Subjektet “Kredo” dhe “IuteCredit” demonstrojnë ecuri të ngjashme me subjektet e tjera të kredidhënies dhe të mikrokredisë.

A janë duke i zbatuar kompanitë planet e tyre të biznesit dhe a janë duke u treguar transparente me normat e interesit dhe penalitetet për moskthim në kohë të kredisë?

Vëmendja e Bankës së Shqipërisë është fokusuar në analizën e kushteve të punës dhe nivelit të çmimeve të aplikuara nga subjektet e mikrokredisë, krahasimisht çmimeve për produkte të ngjashme në tregun shqiptar  të ofruara nga subjektet financiare jobanka dhe ka ndërmarrë prej disa kohësh një proces që synon analizimin e këtij fenomeni  në nivel sistemi dhe në rast se vlerësohet e arsyeshme, do ndërhyjë në adresimin e tij.

Në çdo rast, Banka e Shqipërisë ndërhyn nëpërmjet masave të parashikuara në kuadrin rregullator në fuqi. Kuadri ynë ligjor nuk parashikon nivele maksimale të aplikueshme për normat e interesit dhe komisionet. Në përfundim të analizave dhe vlerësimeve tona në nivel tregu dhe subjektesh dhe jo domosdoshmërisht të izoluara dhe të lidhura me një subjekt të caktuar do të aplikojmë masat që do t’i gjykojmë të përshtatshme.

Sa janë aplikimet për licenca të reja në sektorin e mikrofinancës?

Aktualisht vetëm një subjekt ka paraqitur aplikimin për licencë si institucion financiar i mikrokredisë, ndërsa gjatë vitit është licencuar një institucion financiar i mikrokredisë.

Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës ka vendosur para disa ditësh të revokojë licencat për institucionin mikrofinanciar “IuteCredit” dhe institucionin financiar jobankar “Monego” me arsyetimin se, përveç kredive me norma astronomike të interesit, ato po spastronin para për biznesmenë dhe persona të fuqishëm nga Estonia dhe Rusia. A ekziston i njëjti rrezik edhe në Shqipëri dhe si mund të veprojë Banka Qendrore?

Ligji “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, përcakton Bankën e Shqipërisë si Autoritet Mbikëqyrës për Bankat, institucionet Financiare Jo-banka (IFJB), Zyrat e Këmbimit Valutor (ZKV) dhe Shoqëritë e Kursim Kreditit (ShKK) dhe theksojmë se ligji në fjalë përcakton disa autoritete mbikëqyrëse që kanë rol në fushën e parandalimit të pastrimit të parave.

Në bazë të këtij ligji, Banka e Shqipërisë ka detyrimin të mbikëqyrë nëpërmjet inspektimeve në vend, por jo vetëm, përputhshmërinë e veprimtarisë së subjekteve me detyrimet e parashikuara në këtë kuadër ligjor, si edhe në kuadrin rregullativ për këtë qëllim të saj. Më konkretisht, Banka e Shqipërisë mbikëqyr nëse subjektet kanë ndërtuar në mënyrë të mjaftueshme, në përputhje me frymën e kuadrit ligjor dhe rregullator, politikat dhe procedurat e duhura; strukturat e përshtatshme; sistemet e centralizuara; sistemet e kontrollit të brendshëm etj.

Gjithashtu, sipas ligjit “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) ushtron funksionet si autoritet përgjegjës. Ky përcaktim ndryshon nga përcaktimi autoritet mbikëqyrës, në kushtet kur autoritet përgjegjës është vetëm DPPPP, me të drejta dhe detyrime që shkojnë përtej të drejtave dhe detyrimeve të autoriteteve mbikëqyrëse.

Në zbatim të këtij ligji, DPPPP shërben si njësi e specializuar financiare për parandalimin dhe luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Gjithashtu, kjo drejtori funksionon si qendër kombëtare e ngarkuar me mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen tek agjencitë e zbatimit të ligjit të të dhënave për veprimtaritë e mundshme të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

DPPPP mbikëqyr përputhshmërinë e veprimtarisë së subjekteve me kërkesat e akteve ligjore dhe nënligjore për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, përfshirë inspektimet, vetëm ose në bashkëpunim me autoritetet mbikëqyrëse.

Subjektet e ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, përfshi bankat, iFJB si dhe ZKV-të, kanë detyrimin të raportojnë transaksionet në para fizike në pragun e raportimit si dhe Raporte të Aktivitetit të Dyshimtë (RAD) vetëm tek autoriteti përgjegjës (DPPPP), ndërsa Banka e Shqipërisë ka detyrimin t’i raportojë DPPP-së çdo dyshim, informacion ose të dhënë për veprimtarinë nën juridiksionin e saj, që lidhet me pastrim parash ose financim terrorizmi.

Për sa më sipër, Banka e Shqipërisë mbi bazën e burimeve të saj të informacionit, kryesisht inspektimeve në vend dhe procesit të licencimit të burimeve të financimit nëpërmjet kapitalit, por jo vetëm, nuk ka identifikuar raste të cilat mund të jenë subjekt i pastrimit të parave nëpërmjet aktivitetit për gjenerimin e fondeve të financimit, apo financimit të terrorizmit nëpërmjet aktivitetit të kreditimit për “Iute”.