Djali i Fatmir Limajt i kthehet biznesit

Durim Limaj që tash e dy vite ka punuar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka vendosur t’i kthehet biznesit që e ka themeluar në vitin 2014. Limaj gjatë ditës së sotme ka treguar se ka nisur të punojë në “Orange LD SH.P.K,”, kompani kjo në të cilën është edhe aksionar. E kjo kompani ndër vite ka lidhur kontrata të ndryshme me institucione publike e biznese private.

Durim Limaj që për rreth dy vite ka qenë këshilltar i lartë politik dhe shef i kabinetit të ministrit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka vendosur t’i kthehet biznesit.

Durimi është djali i Fatmir Limaj, i cili po ashtu kishte pozitë të lartë shtetërore, respektivisht deri para katër dite ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

E gjatë ditës së sotme, pasi partia Nisma Socialdemokrate mbeti në opozitë, Durim Limaj përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka treguar se ka nisur punë të re dhe atë në kompaninë ‘Orange LD SH.P.K,”.

Në fakt, Durimi prej kohësh është aksionar  në “Orange LD SH.P.K” (me 50% të kapitalit themeltar), ku kapitali në euro arrin në 50 mijë euro.

“Orange LD” është e njohur kryesisht për dizajnim dhe montim të reklamave të ndryshme nëpër hapësira të ndryshme reklamuese nëpër Kosovë.

Në bazë të aktivitetit të publikuar në faqen e saj, kjo kompani del se që nga themelimi në vitin 2014 ka fituar një numër të madh të kontratave.

Përveç kompanive të naftës, “Orange LD” ka marrë disa punë edhe në Komunën e Malishevës, e cila është duke u udhëhequr për dy  mandate nga Nisma Socialdemokrate.

Mediet në Kosovë patën raportuar se në vitin 2016, kompania e marketingut “Orange LD”, në pronësi të Durim Limajt, kishte fituar disa kontrata me kompanitë e naftës për zhvillimin e produkteve të marketingut.

Në vitin 2016, djali i Fatmir Limaj, me biznesin e tij privat këshillonte disa prej kompanive më të fuqishme të naftës.

E, në deklarimin e fundit të pasurisë që e kishte bërë vetë Limaj në vitin e kaluar, kishte treguar se të hyrat mujore të tij janë nga paga mujore në MTI  prej 620 euro, kurse nga aksionet në “Organde LD” ai përfiton 1 mijë euro në muaj.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve si pronar i “Orange LD” figuron emri i Durim Limajt në bashkëpronësi me kompaninë “Door to Door”. Edhe në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Durim Limaj ka deklaruar se ka në “Orange LD” 50 për qind të aksioneve.

Pasuria e Durim Limajt

Durim Limaj sa ishte këshilltar i lartë politik dhe shef i kabinetit të ministrit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, e kishte deklaruar edhe pasurinë e tij në Agjencionin Kundër Korrupsionit.

Si pasuri të paluajtshme Limaj ka deklaruar se ka një banesë në pronësi të përbashkët, e cila arrin vlerën e 45 mijë eurove dhe që sipas tij është blerë nga shitja e një veture dhe të ardhurat personale.

Po ashtu, Limaj ka deklaruar edhe një banesë në procedurë të blerjes e që sipas tij është ende duke u paguar dhe se ende nuk është pronar i saj.

Ai gjithashtu ka deklaruar edhe veturën e tij, lloji i së cilës nuk dihet por që arrin vlerën e 10 mijë eurove, e përbashkët me gruan.

Limaj ka treguar se është aksionar edhe në shoqërinë komerciale saktësisht në ‘Orange LD SH.P.K, 50% të kapitalit themeltar) ku kapitali në euro arrin në 50 mijë.

Para të gatshme Limaj ka deklaruar se ka në një prej bankave në Prishtinë, si dhe në dy banka në Amerikë.

Në bankën ‘NLB’ Limaj ka 4 mijë e 219 euro, kurse në  ‘Mission Federal Credit Union’ në San Diego, SHBA ka 1 mijë e 156 euro.

Gjithashtu ai ka deklaruar se bashkëshortja në të njëjtën bankë në SHBA ka 415 euro.

Të hyrat vjetore të Limajt janë kësisoj: Nga paga mujore në MTI ai merr 620 euro kurse nga aksionet në ‘Organde LD’ ai përfiton 1 mijë euro.

Shpenzimet e Limaj sa ishte në MTI  

Durim Limaj është kampion për nga shpenzimet e bëra në udhëtime jashtë vendit, krahasuar me anëtarët e tjerë të stafit politik në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Me harxhime ia e ka kaluar edhe secilit prej dy ministrave që gjatë gjysmëmandatit e kanë drejtuar këtë dikaster qeveritar.

Bazuar në një pasqyrë shpenzimesh që Ministria ia ka siguruar “Kohës Ditore” pas një kërkese për qasje në dokumente publike, për më pak se dy vjet, vizitat e Limajt jashtë vendit i kanë kushtuar buxhetit të shtetit rreth 30 mijë euro – 15.001.32 euro në vitin 2018, ndërsa sivjet edhe 14.057.25 euro të tjera.

Pjesë e madhe e kësaj shume është shpenzuar për t’u ushqyer gjatë këtyre vizitave – fiks 8.798.83 euro.

Durim Limaj ka qenë këshilltar i lartë politik dhe shef i kabinetit të ministrit në MTI në kohën Endrit Shalës dhe Bajram Hasanit.

Ai është djali i ish- zëvendëskryeministrit, Fatmir Limaj, i cili e drejton Nismën Socialdemokrate. Ky subjekt politik ishte pjesë e koalicionit qeveritar që kreu mandatin të hënën më 3 shkurt 2020. Rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit  2019 tregojnë se Nisma ishte në rrezik për ta arritur pragun prej 5 për qind të votave, ndonëse kishte garuar në zgjedhje në koalicion me Aleancën Kosova e Re. /FaktePlus/