Dy vdekje të dyshimta janë raportuar të dielën e 9 shkurtit në Kosovë.
Në njërin rast, në Prizren, një burrë është gjetur pa shenja jete në bodrumin e shtëpisë së tij. Për këtë rast ka raportuar vëllai i viktimës.
Në njoftimin 24-orësh të Policisë bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen.
“Në vendin e ngjarjes është gjete dhe sekuestruar një armë zjarri. Me vendim te prokurorit trupi i pa jete i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në njoftim për këtë rast.
Në rastin tjetër, në Vushtrri, një burrë është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij, kanë raportuar familjarët.
“Viktima është dërguar në emergjencë ku mjeku kujdestar ka konstatuar se i njëjti është pa shenja jete. Me vendim te prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në njoftim.