Ende nuk dihet kostoja për shpronësimin e 120 hektarëve të tjerë për zgjerimin e mihjes së KEK-ut

Ende nuk dihet se sa do të jetë kostoja për shpronësimin e 120 hektarëve në fshatrat Shipitullë, Hade, Sibovc, Vodic dhe Leshkoshiq të Obiliqit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Tashmë janë regjistruar 464 persona të ndikuar nga projekti, ndërsa 17 të tjerë kryesisht me toka bujqësore kanë hezituar që t’i regjistrojnë. Ndërkohë, afro 20 milionë euro ka kushtuar shpronësimi i 52 hektarëve në Hade dhe Shipitullë, i cili ishte zvarritur për vite me radhë dhe ishte përcjellë me protesta e dyshime të shumta për keqpërdorim, shkruan sot “Koha Ditore”.

Përfundimin e këtij projekti e kishte konsideruar si suksesin e parë Qeveria e Ramush Haradinajt, e cila në ditët e para të mandatit ishte përballur me protesta të banorëve, të cilët kishin kundërshtuar zhvendosjen, duke kërkuar vlerësime më të larta për pronat që kishin ndërtuar në atë pjesë. Por më pas ata ishin dakorduar që shpronësimi të bëhet në bazë të marrëveshjeve mes KEK-ut dhe pronarëve.

Reklama e sponzorizuar

Zyra për media e KEK-ut ka bërë të ditur se projekti i ri për shpronësim është duke vazhduar dhe tashmë ka përfunduar vetëm faza e regjistrimit të pronave. Nga ky proces, sipas KEK-ut, do të preken rreth 464 persona.