Garë për qytetin e parë anglez me të gjithë autobusët elektrikë

Qyteti i parë i Anglisë që do t’i ketë të gjithë autobusët me ndezje elektrike do të krijohet përmes një fondi prej 50 milionë funtesh, ka njoftuar të enjten Departamenti britanik për Transport. 

Autoritetet lokale tani mund të paraqesin kërkesa për fonde, me qëllim që të bëhen të parët në garën për zbatimin e projektit. 

Përmes këtyre fondeve, që do të ndahen në fund, do të krijohen mjetet financiare për mbulimin e shpenzimeve të blerjes së autobusëve të rinj elektrikë. Sekretari britanik i Transportit, Grant Shapps, ka thënë se autobusët luajnë “një rol të rëndësishëm në uljen e emetimeve”, shkruan sot Koha Ditore.

Reklama e sponzorizuar

Darren Shirley, udhëheqës i Fushatës për “Transport më të Mirë”, e quajti ndërmarrjen një “fillim të mbarë” pas shumë vitesh të shkurtimit të shërbimeve. Departamenti për Transport ka njoftuar se qyteti që do ta fitojë projektin do të shfrytëzohet si model nga Qeveria, e cila synon që të gjithë autobusët në nivel vendi të jenë plotësisht elektrikë deri në vitin 2025. 

Ky njoftim u bë pjesë e një pakoje më të gjerë masash për autobusët. Rreth 70 milionë funte do të ndahen në rrjetet me frekuencë të lartë “Superbus”. Një masë e tillë tashmë është në fuqi në Cornwall, ku kombinimi i tarifave më të ulëta, shërbimeve më të shpeshta dhe shumë korsive për autobusë, ka rezultuar i suksesshëm. 

Qeveria është duke alokuar, po ashtu, rreth 20 milionë funte për testimet e autobusëve, të cilët mund të porositen përmes një aplikacioni. Këto shërbime janë të ideuara për zona rurale ose periferike, ku kërkesa e pasagjerëve nuk justifikon disponueshmërinë e linjave fikse. 

Një shërbim autobusi i stilit Uber tashmë operon në Oksford dhe një tjetër do të nisë në Liverpool gjatë verës. Skema, e udhëhequr nga Arriva, e cila është duke punuar me “Merseytravel”-in, do t’u mundësojë udhëtarëve që të përcaktojnë rrugën e një minibusi, duke hyrë në pikën e marrjes dhe destinacionin e tyre, në një aplikacion të telefonit celular. Teknologjia do të përputhet me personat që udhëtojnë në të njëjtin drejtim me minibusin e duhur. Sidoqoftë, “Oxford Bus Company” së fundmi paralajmëroi se shërbimi i tij “PickMeUp” “mund të përfundojë” në rast se nuk gjenden fonde shtesë. Pavarësisht 250.000 udhëtimeve që prej nisjes së shërbimit në qershor të vitit 2018, “Oxford Bus Company” ka njoftuar se “është akoma sfiduese të funksionosh në një bazë plotësisht komerciale”.

“Me 200 autobusë elektrikë të aftë të kompensojnë 3.700 vetura me naftë, është e qartë që ata kanë një rol vendimtar për t’i ulur emetimet”, ka thënë sekretari i Transportit. 

Shapps shtoi se “kjo paketë 170 milionëshe do të na ndihmojë që të krijojmë komunitete, të cilat janë më të pastra, më të lehta për t’u grumbulluar dhe më miqësore me mjedisin, duke shpejtuar udhëtimet dhe duke i bërë ato më të besueshme”. Rreth 30 milionë funte, në kuadër të fondeve, do të shkojnë tek autoritetet lokale angleze, jashtë Londrës, më 2020, për t’i ndihmuar ata të përmirësojnë ose rivendosin shërbimet e autobusëve që janë ndërprerë. 

Një studim i vitit 2019 ka treguar se më shumë se 3 mijë rrugë lokale autobusësh janë zhdukur ose pakësuar gjatë dekadës së kaluar. Studimi ka bërë thirrje, po ashtu, për zbritjen e çmimeve për kategoritë e tilla, si studentë dhe persona të moshuar.

Image result for electric bus in london